English

Robbins: Partitë të çlirohen nga retorikat agresive, të ecin drejt integrimit

Vjenë, 17 tetor 2011, NOA- I ngarkuari amerikan me punë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Gary Robbins komenton zhvillimet në Shqipëri, në përgjigje të fjalimit të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Edmond Haxhinasto në sesionin e 14 tetorit. “Ne kemi mësuar shumë leksione nga periudhat e tranzicionit që kanë kaluar disa vende të OSBE-së gjatë 20 vjetëve të fundit dhe ne kemi detyrim t’i ndajmë ato me vendet partnere të OSBE-së. OSBE-ja mund të shërbejë si një bazë për të lehtësuar dialogun për praktikat më të mira me Partnerët tanë Mesdhetarë, dhe ky dialog duhet të na mundësojë neve si organizatë të forcojmë angazhimin tonë për të tri dimensionet e OSCE-së. Raporti përgjithësisht pozitiv i ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 Majit është dëshmi e progresit të Shqipërisë, por raporti bën edhe disa vërejtje për këtë proces. Ne inkurajojmë përmbushjen e plotë të rekomandimeve të Raportit të OSBE-së, veçanërisht vërejtjet për Kodin Zgjedhor, me qëllim që të mos adresohet vota e vlefshme në kutinë e gabuar, që të adoptohen procedurat për përfshirjen e votave të tilla në tabelën e rezultateve dhe zhvillimi i procedurave të vazhdojë në rastet e mospërputhjeve, kur numri i votave të hedhura e kapërcen numrin e votave të nënshkruara në listën e votimit”, u shpreh Robbins. Sipas tij Kodi Elektoral duhet gjithashtu të përfitojë nga rishikimi i votave përfundimtare të kontestuara dhe të procedurave për kontestimin e votave. Ai inkurajoi partitë politike që të heqin dorë nga retorikat politike ndarëse në favor të dialogut konkret, politik, për të rritur besimin e popullit shqiptar në sistemin e tyre demokratik. Ndër të tjera ai theksoi se nga “Prania e OSBE-së në Tiranë, informacionin për ditët e tensionuara të Janarit të këtij viti dhe për bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare me Ambasadorin Wollfarth dhe stafi i tij e siguroi Këshillin e Përhershëm për zhvillimet dhe se OSBE-ja ishte e aftë të kontribuonte për uljen e tensionit. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të shfrytëzojë raportet e saj me Praninë e OSBE për vazhdimin e reformave”. I ngarkuari më punë në misionin e SHBAOSBE, u bëri thirrje të gjitha partive të çlirohen nga retorikat ose aktet agresive, që i shërbejnë ruajtjes së tensionit dhe të ecin drejt objektivave tona të integrimit të të gjithë shteteve të Ballkanit në familjen Euro-Atlantike të demokracisë. Në fillim të fjalës së tij ai vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë duke shprehur gatishmërinë për ta çuar më para atë, duke theksuar se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit në thellimin e demokracisë. Ai i tha ministrit Haxhinasto se, mbështet propozimin e tij për nevojën e stabilitetit në rajon duek shprehur bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të luaj një rol konstruktiv për paqen dhe bashkëpunimin, ku shtoi se suksesi në rajon varet nga bashkëpunimi i ngushtë rajonal, një fakt i theksuar edhe nga raportet e tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë. a.y/NOA

Në foto: I ngarkuari amerikan me punë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Gary Robbins

KOMENTE