English

Universitetet, Berisha: Jemi shumë larg standardeve të vendeve të zhvilluara

Tiranë, 17 tetor 2011, NOA – Duke folur në Konferencën për financimin e arsimit të lartë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se edhe pse Shqipëria ia ka dalë që me reformat në arsim të arrijë disa tregues të vendeve të zhvilluara, rishtas vendi ndodhet ende larg standardeve të këtyre vendeve. Shefi i qeverisë theksoi se në një hark të shkurtër kohor prej katër vitesh është rritur me 138 mijë numri i studentëve në universitete. Kryeministri bëri me dije se kjo emergjencë dhe rritje e menjëhershme ka sjellë natyrshëm një shproporcion të papranueshëm në raportet statistikore student-pedagog. “Kemi dhjetë mijë pedagogë për 138 mijë studentë, pra jemi shumë larg standardeve të vendeve të zhvilluara”, tha kryeministri. Ai nënvizoi se universitetet shqiptare duhet të synojnë me ambicie arritjen e standardeve të vendeve të zhvilluara. Në këtë suazë, shefi i qeverisë përmendi lirinë akademike si levën e zhvillimit të universiteteve drejt standardeve më të larta europiane. Kryeministri ritheksoi se nga të gjitha reformat e qeverisë reforma më kryesore është reforma e sistemit të edukimit dhe ajo universitare. “Nuk mund të realizohet asnjë nga objektivat kryesorë në rast se ne nuk vendosim në krye të kërkesave universitetet e vendit, laboratoret e dijes”, u shpreh gjatë konferencës zoti Berisha. Sipas tij gjatë këtyre viteve universitetet kanë bërë përpjekje të mëdha për t’u përshtatur me kushtet e tregut, duke arritur të zhvillojnë mbi 500 programe mësimore. Duke folur për të shkuarën, kryeministri solli në vëmendje se Shqipëria ka patur studentë për frymë katër herë më pak se mesatarja e vendeve të BE-së. Sipas tij me këto ritme nuk mund të arrihen dot standardet, ndaj ai inkurajoi si detyrim madhor t’u krijohen shanse të barabarta të rinjve shqiptarë. Sipas kryeministrit rendja pas cilësisë është emergjente. “Do bëjmë gjithçka të rrisim buxhetin për të modernizuar mësimdhënien, kërkimin shkencor në çdo institut, t’u japim universiteteve autonominë. Liria akademike është thelbësore për universitetet”, tha kryeministri. mit/NOA

KOMENTE