English

Urdhëri i Infermierit përsërit kërkesën mbi regjistrimet për Provimin e Shtetit

Tiranë, 17 tetor, NOA - Urdhri Infermierit të Shqipërisë bën me dije të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private se në zbatim të Ligjit 9718, datë 19/04/2007, ndryshuar me Ligjin 10 462, datë 13/09/2011 “Për disa ndryshime në ligjin për Urdhrin e Infermierit”, si dhe në zbatim të Ligjit për Profesionet e Rregulluara 10 171, datë 22/10/2009.

"Të gjithë profesionistët infermierë, mami, fizioterapeut, teknik imazherie, teknik laboratori dhe logoterapeut që janë diplomuar pas majit 2010 kur ligji ka hyrë në fuqi dhe janë pajisur me Lejen për Ushtrim Praktikës Profesionale edhe pse disa janë punësuar në kundërshtim me këto ligje, duhet të regjistrohen pranë UISH për të dhënë Provimin e Shtetit dhe vetëm pas marrjes së provimit mund të marrin Lejen për Ushtrimin e Profesionit", bën me dije presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi, përmes mediat.

Sipas tij, vazhdimi i punës në kundërshtim me këto dispozita të ligjit është i paligjshëm dhe ndaj këtyre profesionistëve do ketë sanksione siç i parashikon ligji, por edhe ato institucione që i punësojnë në kundërshtim me ligjin do denoncohen pranë organeve të mbrojtjes së ligjit.

Ligji i mësipërm ka mision rritjen e cilësisë së profesionistëve të kujdesit dhe çdo shkelje e tij të çon në uljen e cilësisë së kujdesit infermieror ndaj pacientëve dhe kjo ndodh për motive familjariteti dhe korrupsioni. UISH do t’i denoncojë të gjitha këto raste dhe do të punojë për rritjen e cilësisë së kujdeseve infermierore në Shqipëri.

Takimi i ministrit Vasili

Ndërkaq, në kuadrin e reformës që po bëhet në sektorin e shëndetësisë, një rëndësi e madhe nga ana e Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, po i kushtohet rritjes së cilësisë së kujdesit infermieror ndaj pacientit. Në këtë kuadër, ditët e fundit ministri i Shëndetësisë, në prani edhe të përfaqësuesve të UISH-së zhvilloi një takim me kryeinfermierët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ai theksoi rëndësinë që ka kujdesi infermieror në tërësi për kujdesin shëndetësor. Ai tha edhe se reforma shëndetësore nuk mund të jetë e suksesshme dhe e plotë, pa reformën e kujdesit infermieror. Ndaj kryeinfermierët duhet të punojnë për rritjen e aftësive të tyre menaxhuese, të shërbejnë për një menaxhim sa më efikas të dokumentuar të materialeve, medikamenteve dhe gjithë shërbimeve.

Ata janë përgjegjës 24 orë/24 për kujdesin ndaj pacientit në shërbimin e tyre. Ai theksoi se këto do të jenë vlerësimet në përzgjedhjen e kryeinfermierëve që do të zhvillohet ditët e ardhshme. Por këto, do të jenë edhe vlerësimet në vazhdimësi të drejtimit dhe menaxhimit nga ana e tyre. Askush nuk e ka dhe nuk do ta ketë të sigurt vendin e punës pa punuar dhe pa rritjen e cilësisë së shërbimit.

Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë, do të godasë çdo shkelje dhe çdo sjellje etiko-profesionale që bie ndesh me Kodin Etik-Dentologjik. Kjo vlen jo vetëm për krye-infermierët, por edhe për të gjithë infermierët, mamitë dhe fizio-terapistët.

Një rëndësi e veçantë në kuadrin e reformës po i kushtohet edhe edukimit të vazhdueshëm të infermierëve. Edhe në bashkëpunim me Qendrën e Edukimit në Vazhdim mendojnë që në vitin 2012 të fillojnë vlerësimin me kredite i edukimit në vazhdim për infermierët. Kjo do të fillojë në formën e një projekti-pilot për disa institucione dhe shkallë-shkallë do të gjenden mundësitë që ky edukim i vazhdueshëm të shtrihet në të gjitha institucionet e vendit.

Lidhur me këtë, është menduar që Urdhri Infermierit të Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në mes të nëntorit, të organizojë një Aktiv Kombëtar ku do të diskutohet konkretisht mbi mënyrat dhe nevojat e infermierëve për këtë edukim.

n.e/NOA

Në foto: Presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi

KOMENTE