English

50 vjetori i “Korpusit të Paqes”, nderohet presidenti Topi

Tiranë, 18 tetor 2011, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi është nderuar nga Korpusi i Paqes për mbështetjen dhe bashkëpunimin që i ka dhënë organizatës vullnetare. “Medalja e Mirënjohjes”, iu dorëzua Kreut të Shtetit nga Zëvendësdrejtoresha e Korpusit të Paqes, Keri Hesler-Reidilit, gjatë takimit në presidencë, në prani të ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu. “Vlerësoj të gjithë ndihmën që ka dhënë qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Korpusi i Paqes për shqiptarët, për institucionet në të gjitha nivelet dhe sikurse dihet, në të gjithë territorin, në zonat urbane, në zonat rurale sidomos, në fusha shumë të rëndësishme duke filluar me arsimin, me shëndetësinë, me bujqësinë, me biznesin, me mundësinë e përdorimit të gjuhës angleze, e cila është bërë sot një gjuhë e përbotshme. Ju siguroj që do të keni mbështetjen e veçantë të Institucionit të Presidentit për të gjithë kontributin tuaj edhe në vazhdim”, tha Presidenti Topi. Zonja Reidilit vuri në dukje se në Shqipëri numërohen rreth 500 vullnetarë të Korpusit të Paqes, ndërsa prezantoi drejtorin vendor Hill Denham edhe tre nga administruesit e Programeve të Korpusit të Paqes në Shqipëri: Darina Kaltani, Diana Djaloshi dhe Agim Dyrmishi, të cilët paraqitën punën dhe programet e tyre konkrete në terren. Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, tha se 50-vjetori i krijimi të Korpusti është i rëndësishëm edhe në Shqipëri, sidomos në fshatrat më të thella të vendit tonë. a.q/NOA

KOMENTE