Tiranë, 18 tetor 2011, NOA – Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Hysni Burgaj u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë, të cilët në momente të caktuara bien pre e mashtrimeve të këtij lloji për të shkuar dhe kërkuar azil në Belgjikë, pasi veç të tjerash, këtyre personave u mohohet gjithashtu e drejta për të hyrë në zonën Shengen për 5 vjet. “Këta shtetas që paraqiten me vërtetime fallco për të përfituar azil në vende të ndryshme, regjistrohen në sistem dhe nuk mund të hyjnë në zonën Shengen për 5 vjet me radhë. Prandaj u bëj thirrje të mos bien pre e këtyre elementëve, qëllimi i të cilëve është vetëm përfitimi material në dëm të tyre. Ne kemi filluar hetimin në Shkodër, Tiranë dhe Kukës, pasi ky ishte edhe qëllimi i kësaj vizite të delegacionit belg, për të rakorduar bashkërisht veprimet dy agjencitë ligjzbatuese. Hetimi tashmë ka filluar në të dy vendet tona për të çuar përpara drejtësisë të gjithë këta persona që abuzojnë dhe shpërdorojnë edhe detyrën duke mashtruar shtetasit shqiptarë për përfitimin e azilit në Belgjikë”, theksoi Burgaj sot në mesditë. a.q/NOA
Në foto: Drejtori i policisë Burgaj dhe Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Imigracionit dhe Azilit, në Ministrinë Federale të Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës, z. Freddy Rosemont.