Tiranë, 18 tetor 2011, NOA - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte sot në ceremoninë e përkujtimit të Ali Bakiut, Kryetarit të parë të Bashkisë së Tiranës, pas Luftës së Dytë Botërore. Basha vlerësoi aktivitetin e z.Bakiu, duke u shprehur se shumë prej akteve dhe mesazheve të tij, janë edhe sot aktuale dhe frymëzuese. “Në një kohë të vështirë ekonomikisht, të mbartur me probleme të mëdha sociale, ai gjeti forcën dhe kohën të përballej me to, t’i trajtonte problemet e qytetarëve të tij, si të tijat, të trajtonte çdo dhimbje, çdo padrejtësi si një problem akut të tij dhe të jepte vendime maksimale për t’i zgjidhur ato. Në një kohë rendjeje, drejt përfitimeve të reja të politikës dhe luftës për pushtet, ai kishte forcën dhe vizionin të braktiste çdo joshje të tillë dhe të mbetej në thelb, qytetari i parë, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Tiranës”, u shpreh Basha. Bakiu qëndroi për më shumë se një vit në krye të Bashkisë së Tiranës. Ai dha dorëheqjen, duke mos u pajtuar me politikën e sistemit të komunist, që nisi të shpronësonte qytetarët e Tiranës. Më tej, ai u persekutua nga regjimi i kohës. a.q/NOA