English

Bulqizë, nga vera e heshtjes së nëntokës te vjeshta e shpërthimit

Bulqizë, 18 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një Odise e gjatë e cila duket se nuk paska fund, është ky fati i minatorëve të Bulqizës të cilët pas muaj të tërë sakrificash nuk arritën të gëzonin atë për të cilën luftuan me mish e me shpirt. Ndërsa në fillim të muajit korrik një grup minatorësh pikërisht për pagën e ulët të tyre, prej kushteve të punës dhe prej pakënaqësisë ndaj kompanisë austriake ACR u futën në grevë urie, e cila kaloi në disa faza sot përjetuan më të rëndën prej tyre. E ndërsa fundi i mundimeve të tyre u mendua se u arrit në fund të muajit shtator pas muajsh të nxehtë vere në heshtje të plotë ku askush nuk jepte zgjithje, teksa pritej përgjigja për kërkesat e tyre, duket se u arrit dhe marrëveshja e shumëpritur. Nga kjo marrëveshje pagat e tyre do të rriteshin me 20%, ditët e grevës do të paguheshin e kushtet e punës do të përmirësoheshin.... por nuk ndodhi kështu, pikërisht këtu nis dhe goditja e radhës për punëtorët e nëntokës, te kushtet e punës. Për minatorët e Bulqizës ky vit duket se po ecte ters, pasi nuk u mjaftuan me vapën e verës në grevën e nëntokës, u përballën me një tjetër nxehtësi, të një stine tjetër por shumë më të fuqishëm, shpërthimi i vjeshtës. Pikërisht sot, një shpërthim i fuqishëm në një pus të minierës së Bulqizës tronditi qytetin e vogël dhe mbarë vendin, pasi një grup minatorësh të cilët kishin hyrë në nivelin e 16 të minierës për të matur gazin, u përballën me një shpërthim, e për njërin prej tyre ai qe fatal... Naim Shyti gjeti vdekjen. Por, nuk u mbyll me kaq, pasi 8 punëtorë të tjerë u plagosën e dy prej tyre janë ende duke luftuar mes jetës e vdekjes në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave pranë METE-s, reagoi pas shpërthimit të rëndë duke thënë se në nivelin e 17-të të minierës po kryheshin punime dhe sipas ekspertëve shpërthimi i hidrogjenit ishte i paparashikuar. Mësohet se gazi shpërtheu në minierën e Bulqizës pak kohë pasi RISHM-i kishte parë nga afër mjediset e minierës duke e lënë nën administrimin e ACR-së pusin nr. 2 të saj, e duke ndaluar punën në disa nga galeritë e tjera. Ndërkohë minatorët e plagosur më rëndë gjatë shpërthimit në minierë, janë Hajri Koçi, Bastri Toska, Zaim Përkola e Xhelal Ruçi, Luan Lila dhe Gëzim Lami. Ngjarja në fjalë ka ndodhur disa ditë pasi nga METE është lëshuar një urdhër për pezullimin e punimeve në Minierën e Kromit Bulqizë deri në vënien në gatishmëri pune të saj, në lidhje me sigurinë në punë. Ky urdhër mban datën 10.08.2011. Ndërkaq në ambientet e Spitalit Ushtarak për të vizituar të plagopsurit mbërritën personalitete të larta, si kreu i opozitës dhe këshilltari i Presidentit Maksim Cikuli. Reagimi i ACR: Nuk dihet shkaku, ngushëllime familjes

Kompania ACR, e cila ka marrë me koncesion minierën e Bulqizës ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në këtë minierë. Në deklaratën shpërndarë mediave sqarohet se, me datë 18 tetor rreth orës 10:00, një aksident i rëndë ka ndodhur në pusin 2, niveli 16-të i minierës së Bulqizës. “Gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9, një nga detyrimet e marrëveshjes koncesionare me METE, është hasur një vatër hidrogjeni. Grupi ekspert i ajrimit në përbërje e të cilit është gaz-matësi dhe tre punëtorë ajrimi kanë vajtur në front për të matur gazin dhe për të përgatitur tubat për ajrimin e frontit. Pas disa momentesh kur këta ekspertë ishin në distancë rreth 40 – 50 metra larg ballit të punimit ka ndodhur shpërthimi i gazit”, thuhet në deklaratë. Sipas ACR, si pasojë e këtij shpërthimi punëtori i ajrimit, Naim Shyti, ka humbur jetën dhe 7 minatorë të tjerë janë plagosur. Arsyeja e shpërthimit ende nuk është e ditur, por priten përfundimet e ekipeve eksperte edhe të RISHM, të cilët do të përcaktojnë dhe shkakun. “ACR shpreh hidhërimin e thellë për humbjen e jetës së punëtorit të ajrimit Naim Shyti. Ndërkohë po merr të gjitha masat për trajtimin shëndetësor të minatorëve të plagosur”, përfundon deklarata e shpërndarë nga ACR.

Ministri Naço: METE në gatishmëri

Lidhur me ngjarjen e rëndë reagoi edhe Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço, i cili tha se janë vënë në lëvizje gjithë strukturat e ministrisë. Sipas deklaratës së METE, një ekip pune është ngritur menjëherë nga Ministri i METE, Nasip Naço, dhe se specialistët e nisur drejt Bulqizës, do të verifikojnë nëse punëtorët e firmës koncensionare ACR, ishin duke kryer veprime kundër urdhrit të dhënë nga METE, apo ishin në minierë për riparimin e defekteve të konstatuara për shkak të ndërprerjes së punimeve. Ndërkohë Ministri Naço, i shprehu ngushëllimet e tij familjes së punonjësit Naim Shyti, dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve në këtë ngjarje tragjike.

Task- Force: Të verifikohet leja e ACR-së Minatorët nuk kanë qenë duke punuar në minierën e Bulqizës në momentin e shpërthimit. Ky ka qenë konkluzioni i arritur nga Task Forca e ngritur pak minuta pas shpërthimit në pusin numër 2 të minierës. Grupi i punës ka deklaruar se do të nisin verifikimet për ngjarjen, ndërsa do të verifikohet edhe leja e ACR, për ndërhyrjen në galeri. “ Minatorët nuk kanë qenë duke punuar në minierë. Minatorët po riparonin tubacionin e ajrimit”, thuhet në deklaratën e RISHM për ngjarjen. a.y/NOA

KOMENTE