English

Dade: Ja si PS punoi për integrimin

Deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade, njëkohësisht dhe anëtare e Kryesisë së partisë më të madhe në opozitën aktuale thotë se Partia Socialiste dhe koalicioni që ajo drejtoi punuan për integrimin. Në intervistën për radion Evropa e Lirë, ish ministre e punëve të jashtme Dade thotë edhe se “është për të ardhur keq që edhe pas pothuaj 2 muajsh që opozita ka ofruar 10 pika të cilat janë gjithsesi të negociueshme mund të mbeten 7 ose 5” Brukseli vazhdon të besojë se ka shanse për dialog mes shumicës dhe opozitës. A është vërtet kështu? A ka shanse për dialog kur së fundmi patëm akuza të forta nga të dyja palët për përgjegjësinë e humbjes së statusit kandidat në BE?

Sigurisht është një gjë që nuk përbën risi. Në përgjithësi raportet e ndërkombëtarëve dhe strukturave që na monitorojnë lexohen në mënyra të ndryshme nga palët. Por, në rastin e progres raportit, nuk duhet të ishte kjo gjë. Besoj që qasja për të analizuar raportin e KE-së, për më tepër në një rast te dytë që Shqipëria dështon të marrë statusin e vendit kandidat duhet të ishte diçka tjetër. Palët duhet të reflektonin mbi të gjithë kapitujt që përfshihen në progres raport dhe gjithashtu duke caktuar detyra. Në radhë të parë, për strukturat e shtetit të cilat e kanë për detyrë dhe kanë pasur gjatë vitit të fundit për të përmbushur, 12 prioritetet e opinionit në rastin kur në 2010 Shqipërisë iu refuzua statusi kandidat. Në vend që klasa politike të bënte këtë gjë, ne u ballafaquan me një shans tjetër të humbur. Dhe është rast unikal, madje dhe në 2010 ka qenë rast unikal, që një vendi që aplikon për një vend kandidat kjo t’i refuzohet. Me keqardhje në seancën e fundit të Parlamentit, opinioni publik ndoqi retorikën e papranueshme jo vetëm për opinionin publik shqiptar dhe njerëzit tejet të lodhur, jo vetëm nga varfëria por nga problematika e jetesës së përditshme. Por, ajo ra ndesh edhe me sugjerimet që Komisioni Evropian ka dhënë për zbutjen e retorikës nëse do të krijohet një klimë bashkëpunimi. Ajo që ndodhi në seancë nga kryeministri, por më së keqi dhe nga Ministria e Integrimit, tregon se mazhoranca jo vetëm nuk ka reflektuar, jo vetëm që manifeston arrogancë edhe në trajtesën që i bëhet vërejtjeve dhe mangësive të theksuara, të mos përmbushjes së kushteve që na kishte vendosur Bashkimi Evropian, por nuk krijohet as terreni për një bashkëpunim të mëtejshëm për të adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë më së pari me shqiptarët, që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së jetës së shqiptareve. Personalisht kështu e shoh integrimin në BE. Pra, nuk mund të jetë thjesht një proces burokratik për të përmbushur ato detyrime por ato shkojnë në një linjë me angazhimet e çdo mazhoranace për të përmirësuar jetesën e njerëzve që kjo mazhorancë qeverisë. Është për të ardhur keq që edhe pas pothuaj 2 muajsh që opozita ka ofruar 10 pika të cilat janë gjithsesi të negociueshme mund të mbeten 7 ose 5. Pra, ka ofruar një projekt për të bashkëpunuar, në mënyrë që të adresohen në radhë të parë ato që janë më emergjente, siç është rasti i reformës parlamentare por edhe i reformës zgjedhore, në mënyrë që mbasi të ketë përfunduar reforma zgjedhore një nga kushtet kryesore edhe në 12 pikat e KE-së, t’i lihet strukturave të tjera të shtetit që merren me infrastrukturën e zgjedhjeve për 2013. Kjo në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vendi të hyjë me ligje elektorale te fiksuara dhe sigurisht me një infrastrukturë zgjedhore të standardeve të njohura ndërkombëtarisht. Për fat të keq deri më sot ne nuk kemi asnjë përgjigje. Përgjigjja e vetme që kemi marrë është retorika e papranueshme retorika vulgare, dhunuese, në parlamentin e Shqipërisë. Pra ju duket e pamjaftueshme ajo që kryeministri ofron si përgjigje për sa i takon reformës zgjedhore apo rregullores se Parlamentit për të cilin thotë se duhet përafruar me atë të Parlamentit Evropian?

Po ta dëgjosh kryeministrin me vëmendje çfarë thotë sot s’thotë nesër. Pra nuk ka konsistencë në ato që thotë. Së pari përgjigjja opozitës nga mazhoranca nuk jepet përmes medias, nuk i jepet nëpër takime në fshatra të ndryshme ku ai shkon të festojë ditëlindjet, por në një tryezë që duhet të fillojë dhe është urgjente të fillojë. Pikat që ka kërkuar opozita janë përshëndetur edhe nga faktori ndërkombëtar nga OSBE-ja, nga aktorë të tjerë të rëndësishëm të organizmave ndërkombëtarë në Tiranë. Dhe unë besoj që vetë klasa politike duhet ta hedhë këtë hap sepse edhe kur me vullnetin e palëve diçka realizohet, sigurisht meritat ju shkojnë dhe organizmave ndërkombëtarë në Tiranë. Kanë kaluar 20 vjet kur Shqipëria u hap drejt demokracisë dhe ne nuk kemi pse punët e mira t’i bëjmë vetëm kur na marrin për dore përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtarë. Kemi pasur raste bashkëpunimi, dikur janë vendosur standarde siç është rasti i 2002-ës, kur presidenti dhe prokurori i përgjithshëm u propozuan nga opozita e asaj kohe, dhe u votuan në Parlament nga mazhoranca e asaj kohe, dhe këto standarde ne nuk kemi pse t’i ç’bëjmë, këto standarde duhen konsoliduar edhe si pjesë e aspektit pozitiv të bashkëpunimit ndër vite në kohën e tranzicionit. A ka gjasa që kriza politike të transferohet deri në vitit 2012, që përkon me zgjedhjen e presidentit, apo 2013 kur dhe do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme?

Partia socialiste është e vendosur dhe ka vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me mazhorancën, sepse bashkëpunimi është vetëm në favor të Shqipërisë, është në favor të avancimit të mëtejshëm të agjendës evropiane. Dhe më së pari favori i shkon vetë shqiptarëve për të krijuar kushtet në mënyrë që të realizohen ato angazhime që vetë klasa politike por pikësëpari mazhoranca ka marrë ndaj vetë shqiptarëve por edhe ndaj BE-së. Në qoftë se ky bashkëpunim, hapat e parë, nuk zhbllokohen nga mazhoranca, atëherë është shumë e vështirë që ne të vazhdojmë t’i lutemi kësaj mazhorance për të bashkëpunuar, sepse në fund të fundit përgjegjësitë në çdo vend demokratik, në radhë të parë për qeverisjen, për bashkëpunimin me opozitën, patjetër që bien te mazhoranca dhe nuk bien te opozita. Nganjëherë më duket sikur kemi ndërruar vendet. Për shembull, po të shikoje zonjën Meksi në seancën e fundit parlamentare, dhe krahasuar me fjalën që mbajti ministria aktuale e integrimit, mua sinqerisht që mu duk se ne kishim ndërruar vendet. Dikush ishte në mazhorancë, dhe dikush tjetër ishte ne opozitë, sepse mënyra se si trajtohen çështjet në Shqipëri është e gabuar. Duhet patjetër mazhoranca t’i lutet opozitës për të bashkëpunuar, dhe jo e kundërta. Po të vini re fjalën e njëpasnjëshme të liderit të opozitës duke kërkuar dhe insistuar për një përgjigje lidhur me ofertën që ka bërë opozita, sigurisht të bën të mendosh se opozita po këmbëngul lidhur me këtë bashkëpunim, në fakt duhet të jetë e kundërta. Duhet patjetër mazhoranca ta sjellë opozitën në atmosferën e bashkëpunimit dhe për hir të së vërtetës, më lejoni t’i referohem asaj çka komisionari për zgjerimin, zoti Fyle, ka thënë lidhur me mazhorancën, që duhet të krijojë kushtet dhe garancitë opozitës për të ardhur në parlament dhe të bashkëpunojë për reformat.

Si e konsideroni vlerësimin e kryetares së Kuvendit, zonjës Topalli, se lidershpi i PS-së përfaqëson një celulë antievropiane?

Nuk do të parapëlqeja të komentoja në mënyrë të veçantë spikeren e parlamentit për arsye se shpesh herë mendoj se roli i grave në politikë duhet të jetë komplet ndryshe nga ai që ka manifestuar zonja Topalli, në mënyrë të veçantë për të krijuar në Parlament atmosferën e bashkëpunimit dhe jo të bësh rolin e provokimit, herë pas here, në mënyrë të vazhdueshme në parlament. Është për të ardhur keq që epitete të tilla do t’i shkonin më shumë mentalitetit komunist, që ne e kemi lënë pas, dhe më lejoni t’iu kujtoj se është pikërisht kjo mazhorancë aktuale dhe përfaqësuesit e saj më në zë, që i kanë krijuar kosto të pariparueshme procesit të integrimit. Kujtoj këtu 96-ën, kur ne ishim në prag të hapjes së negociatave për asociimin, dhe për shkak të zgjedhjeve të manipuluara të 96-ës, Shqipërisë iu desh ta fillonte procesin nga e para, dhe të humbiste 10 vjet në procesin e integrimit. Partia Socialiste në qeverisje, përmbushi 97 % të negociatave deri në 2005-ën, përmbushi edhe kushtin themelor për të mbajtur zgjedhje të lira e demokratike, dhe në muajt që pasuan në tetor të 2005-ës, Komisioni Evropian vendosi që të mbyllte negociatat e asociim-stabilizimit me Shqipërinë. Pra do të thotë se Partia Socialiste dhe koalicioni që ajo drejtoi punuan për integrimin. Vizioni ynë është komplet ndryshe nga vizioni që ka kjo mazhorancë. Vizioni ynë nuk është për të garantuar mbijetesë politike, vizioni ynë është që integrimin e shqiptarëve, e duam për të rritur cilësinë e jetës së shqiptarëve, e duam që Shqipëria të integrohet në Evropë me dinjitet. Megjithatë ka dhe drejtues të PS-së që mendojnë që kjo është një tango krizë, pra e ngjizur nga të dyja palët? A ndani të njëjtin gjykim?

Sigurisht, opozita nuk i është shmangur përgjegjësive të veta. Fakti që ka qenë e pranishme në mjaft seminare për të diskutuar rreth planit të veprimit, dhe më lejoni të bëj në parantezë që asnjë veprim i opozitës nuk është përfshirë në planin e veprimit të kërkuar nga BE për të zbatuar 12 pikat e përfshira në opinionin e Komisionit Evropian, dhe sigurisht opozita e ka bërë detyrën e saj, duke u rikthyer në Parlament, pas një bojkoti të pjesshëm, duke ofruar një ofertë, duke dhënë vizionin e saj edhe për reformat dhe ligjet që kërkojnë një mazhorancë të kualifikuar. I takon mazhorancës që të dëgjojë me vëmendje opsionet e opozitës, dhe pse jo, pse të mos i pranojë?! Në qoftë se do të shihet ky proces me seriozitet dhe realisht me sinqeritet për tu integruar në Bashkimin Evropian, atëherë kjo është tangoja për të cilën flitet, por edhe në tango, jo të dy partnerët kanë të njëjtin rol.

KOMENTE