English

Ghilad Shalit shkëmbehet me 1027 të burgosur palestinezë

Gaza, 18 tetor 2011, NOA – Ghilad Shalit është i pari ushtar izraelit që lirohet mëngjesin e sotëm nga burgu në Palestinë pasi u zu rob nga militantët e Hamasit pesë vjet më parë në vitin 2006. Në këmbim të lirimit të Ghilad Shalit, sipas marrëveshjes Izraeli do të duhet të nxjerrë në liri 1027 të burgosur palestinezë. Rreshteri izraelit Ghilad Shalit raportoi BBC këtë mëngjes mësohet të jetë transferuar nga Gaza vendi i shkëmbimit përdrejt territorit egjiptian dhe pikërisht në qytetit Rafah. Një përfaqësues i Hamasit e konfirmon lajmin, ndërkohë që nga Izraeli ende nuk pohohet asnjë e re nga lirimi i ushtarit Shilat. Edhe televizioni privat izraelit Kanali 10 duke iu referuar një burimi ushtarak izraelit bën me dije se ushtari ka lënë Gazën dhe është në Egjipt. Por, vetëm pak minuta më vonë një zëdhënës i rezistencës popullore që bashkëpunon me militantët e Hamasit mohoi zërat që ushtari Ghilad Shalit të ketë lënë Gazën. Ndërkaq prindërit e ushtarit, Noam dhe Aviva lanë këtë mëngjes shtëpinë e familjes së Mitzpe Hila në qytetin e Galileas dhe morën një autobus të shoqëruar nga policia duke iu drejtuar bazës ushtarake të Tel Nof në qendër të Izraelit. Pikërisht në këtë bazë në orët në vijim të së martës dy prindërit do të takohen me të birin e tyre pas pesë vitesh burgosjeje në Rripin e Gazës e kontrolluar nga forcat e Hamasit. Por, qeveria izraelite nuk bën asnjë koment për ngjarjet e momenteve të fundit, duke nënkuptuar se ajo do të deklarohet vetëm kur ushtari izraelit të mbërrijë shëndoshë e mirë në Izrael. “Nuk ka asnjë koment”, ky ishte reagimi i zyrës së shtypit të kryeministrit izraelit Benyamin Netanyahu për zërat mbi lirimin e Ghilad Shalit të dala në qarkullim nga një burim i Hamasit. “Nuk do të bëjmë asnjë koment deri kur Shalit të mbërrijë në territorin izraelit” shtoi zëdhënësi i kryeministrit. Ndërkohë të hënën, Gjykata e Lartë e Izraelit hodhi poshtë një apelim vendimi nga ana e familjeve të viktimave të sulmeve të militantëve palestinezë. Tashmë i pari prej 477 të burgosurve palestinezë që do të lirohen të martën mësohet të ketë dalë nga burgu. BBC bën me dije se një konvoj i madh burgu ka lënë pas një burg në jug të Izraelit, ndërsa një grup i vogël sapo ka dalë nga një burg në qendër të Izraelit, që të dy të mbikëqyrur nga forca të rrepta të sigurisë. Ndërkohë 550 të burgosur të tjerë palestinezë janë planifikuar të lirohen në muajin nëntor. Në vijim të kundërshtimit popullor në Izrael kundrejt marrëveshjes së qeverisë izraelite dhe asaj palestineze, kryeministri izraelit Netanjahu deklaroi se e kuptonte dhimbjen e familjarëve të viktimave që janë vrarë në mënyrë monstruoze nga militantët e Hamasit, të cilët tashmë nuk do të marrin as dënimin e merituar. Ndërkohë në Gaza, Hamasi është përgatitur për të pritur si heronj 295 të burgosurit e parë. Ministri i Brendshëm i Hamasit për Gazën u kërkoi banorëve të përmbahen nga përdorimi i armëve dhe municioneve për të shprehur gëzimin e tyre. mit/NOA

KOMENTE