Tiranë, 18 tetor 2011, NOA- Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama në fjalën e mbajtur në konferencën e për reformimin e sistemit të imuniteteve të zyrtarëve të lartë që nga deputetët, gjyqtarët etj, tha se institucionet ndërkombëtare në vijimësi kanë shprehur shqetësim për këtë fakt. Sipas saj shqetësim të madh përbën edhe zhvillimi i korrupsionit në radhët e funksionarëve të lartë publikë, në radhët e sistemit gjyqësor, si dhe për mosndëshkueshmërinë në nivelin e duhur të këtij fenomeni negativ në radhët e zyrtarëve të lartë dhe të gjyqësorit. Ajo veçoi raport-progresin e Komisionit Europian duke thënë se aty paraqitet qartë shqetësimi në lidhje me numrin e pakët të rasteve të hetimit për korrupsion të zyrtarëve të lartë, faktin që korrupsioni është kthyer në një fenomen shqetësues për sistemin gjyqësor, si dhe nevojën e rritjes së përdorimit të rasteve të hetimeve proaktive në këtë fushë. Kryeprokurorja shtoi se dy materialet e përgatitura nga ekspertët e PACA dhe të EURALIUS kanë arritur në konkluzione të drejta dhe realiste për sa i përket situatës aktuale ligjore në vendin tonë në lidhje me konceptin të imunitetit nga ndjekja penale të funksionarëve të lartë dhe të gjyqtarëve të gjitha shkallëve, në lidhje me nevojën për ta ndryshuar këtë situatë, si dhe mbi mënyrën se si duhet ndryshuar. Sipas saj, të dy materialet e paraqitura arrijnë në të njëjtin konkluzion se imuniteti që gëzojnë kjo kategori e caktuar e zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarët, është i panevojshëm, është pengues për hetimin e rasteve të korrupsionit ndaj tyre, dhe se është e domosdoshme të bëhen ndryshime kushtetuese për heqjen dhe kufizimin e tij, një qëndrim i njëjtë me deputetin socialist Fatmir Xhafa. Ajo theksoi se duhet të tejkalohen diskutimet nëse është i nevojshëm kufizimi i imuniteteve, dhe të kalohet ne diskutimin mbi mënyrat konkrete se si duhen realizuar këto ndryshime. “Në lidhje me materialin e paraqitur nga ana e ekspertëve te projektit PACA vlersoj të drejtë propozimin për të bërë ndryshime në Kushtetutë për shfuqizimin imunitetit të Anëtarëve të Këshillit të Ministrave, të Avokatit të Popullit, të Anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjithashtu, vlerësoj të drejtë dhe të bazuar propozimin për shfuqizimin e mbrojtjes së deputetëve nga ndjekja penale, duke pranuar idenë e një imuniteti të kufizuar, i cili jep garanci në lidhje me mosndjekjen penalisht për fjalën që thonë dhe vendimet që marrin për shkak të detyrës si deputetë, por gjithashtu jep garanci në raport me arrestin dhe kontrollin personal te tyre. Në vazhdim të këtij qëndrimi, jemi të mendimit se duhet të parashikohet shprehimisht në ligj e drejta e gjykatës për të dhënë masën e arrestit ose kontrollit dhe ndalimi për ta ekzekutuar derisa të shprehet Kuvendi në lidhje me këto masa. Kjo lloj zgjidhje ligjore, në këndvështrimin tonë, lejon prokurorinë të mbledhë provat e nevojshme, lejon gjykatën të japë një vlerësim teknik bazuar në këto prova, si dhe lejon Kuvendin nga ana tjetër të japë një vlerqsim politik nëse është dakord ose jo për arrestimin, ose kontrollin ndaj deputetit, duke mos penguar ndërkohë ushtrimin e ndjekjes penale ndaj tij”, deklaroi Rama. Sipas saj aktualisht ndodh që Kuvendi para se të shprehet në lidhje me heqjen ose jo të imunitetit, vlerëson provat e marra nga Prokuroria në lidhje me përgjegjësinë penale të një deputeti, gjë e cila praktikisht e shtyn Kuvendin drejt funksioneve gjyqësore, rol të cilin në përputhje me Kushtetutën e ka dhe duhet ta ketë vetëm Gjykata. Ajo shtoi se ndryshimet kushtetuese në lidhje mesa më sipër duhet detyrimisht të shoqërohen edhe me ndryshimet respektive në Kodin e Procedurës Penale. Rama tha se gjyqtarët duhet të përgjigjen përpara ligjit për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre gjyqësor dhe se ata duhet të mbrohen vetëm ndaj padive civile dhe kërkesave penale bazuar në opinionet e shprehura ose votat e dhëna gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.
Ndër të tjera Kryeprokurorja bëri disa rekomandime lidhur me arrestimin e gjyqtarëve duke thënë:
Propozimi që “Gjyqtarët nuk duhet të arrestohen apo t’ju kufizohet liria e lëvizjes në çfarëdo forme pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveç rastit kur kapen në flagrancë gjatë kryerjes së krimi të rëndë”, mendojmë se duhet të ivlerësuar duke e hequr këtë lloj garancie për faktin se: 1- arrestimi i një gjyqtari nuk mund të çojë në bllokimin e sistemit gjyqësor si (në rastin e deputetëve) për faktin sepse Kodi i Procedurës Penale dhe ligji “Për organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” e parashikojnë mundësinë e zëvendësimit të një gjyqtari si dhe procedurën përkatëse për realizimin e tij. 2- Nga ana tjetër, vendimmarrja për të arrestuar dhe për të ndaluar një gjyqtar, gjithnjë do të jepet nga një gjyqtar tjetër, gjë që në thelb, jemi të mendimit se përbën garanci që vendimmarrja të mos jetë abuzive. Gjithashtu, jemi dakort me propozimin që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të kenë të njëjtin sistem mbrojtjeje dhe garancish sikurse gjyqtarët e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Gjykatave të Apeleve. Jemi plotësisht dakort me propozimin e paraqitur në material që Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të përfitojnë nga imuniteti i përgjithshëm, por nga një regjim procedural i ngjashëm me atë që ju jepet deputetëve. Kjo lloj zgjidhje kërkon ndryshime kushtetuese dhe ndryshime në ligjin organik për Gjykatën Kushtetuese. Në përfundim më lejoni të shpreh edhe një herë vlersimin më të mirë për ekspertët e Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian për ndihmesën e dhënë në mënyrë të vazhdueshme për sistemin e drejtësisë në vendin tonë dhe nga ana tjetër të shpreh gatishmërinë e institucionit të prokurorisë për të kontribuar deri në përfundimin e procesit që lidhjet me ezaurimin e rekomandimeve të mësipërme. a.y/NOA
Në foto: Kryeprokurorja Ina Rama