Tiranë, 18 tetor 2011, NOA – Partitë e majta janë mbledhur sot në mesditë në një tryezë zyrtare ku, sikundër është paralajmëruar edhe ditë më parë, do të diskutohen disa çështje të politikës së ditës. Më shumë se 30 minuta më parë në një prej sallave në hotelin në qendër të kryeqytetit janë takuar kryesocialisti Rama, kreu i PDK Ndoka, kryetari i PSD Gjinushi, ai i PSV91 Koçi, politikani Preç Zogaj, ndërkohë që Vangjel Dule dhe Paskal Milo kanë munguar. Por në vend të tyre në tryezë po marrin pjesë përfaqësues të tjerë të dy partive respektive, PBDNJ dhe PDS. Mësohet se në takim do të diskutohet për progres raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, si edhe përgjegjësitë mbi mesazhet e këtij raporti. Sot pritet të diskutohet edhe pakti prej 10 pikash i propozuar nga Edi Rama si edhe reforma zgjedhore. Kjo pikë e fundit ka prioritetin e tryezës opozitare për shkak edhe të interesimit që vetë partitë e opozitës kanë për këtë çështje. a.q/NOA