English

Opozita bën gati platformën për reformën zgjedhore

Tiranë, 18 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Opozita ka tashmë gati platformën e saj për realizimin e një reforme të plotë zgjedhore. Pas përfundimit të tryezës zyrtare të “Opozitës së bashkuar”, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, tha se opozita do ketë gati platfomën e cila në thelb do ketë kërkesën për garanci politike, për Reformën Zgjedhore. “Opozita do të paraqesë platformën me 4 pika kryesore. Garanci politike, infrastrukturore, administrative dhe Kodin Zgjedhor. Garanci politike ka të bëjë me shkakun kryesor që është vjedhja e zgjedhjeve, pra do të garantohet një paritet i plotë tek institucionet dhe mbrojtjen e votës”, tha Gjinushi për mediat. Partitë e vogla kanë propozuar gjatë gjithë këtyre ditëve që PS të shprehet qartë, në lidhje me disa pika të kësaj reforme, siç janë masa e reformimit të Kodit Zgjedhor, një pikë tjetër që ka të bëjë me ndarjen e qarqeve nga 12 në 6 të tillë, ndryshimi i formulës së llogaritjes për ndarjen e mandateve mes partive të vogla në koalicione, e një sërë çështjesh të tjera. Në takimin e mesditës morën pjesë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, kryetari i PSV '91, Petro Koçi dhe politikani Preç Zogaj. Në takim kanë munguar kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo dhe kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Kreu i PDS-së, Paskal Milo nuk mori pjesë për shkak të angazhimeve të tij, në mësimdhënie, në Kosovë. ndërsa mungoi dhe Dule i PBDNJ. Vendet e tyre në takim i kanë zënë dy përfaqësues të tjerë të partive respektive. a.q/NOA

KOMENTE