English

Parashikimi i motit për 19 tetor 2011

Tiranë, 18 tetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, për sa i përket vendit tonë, dita e nesërme do të nisë me mot të kthjellët në të gjithë territorin por duke ju afruar orëve të mesditës do të ketë kalime vranësirash të lehta nëpër të gjithë vendin, më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat lindore të Shqipërisë. Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me kthjellime në ultësirën perëndimore dhe zonat bregdetare duke lënë me vranësira dhe intervale të shkurtra kthjellimesh të gjithë zonën malore Lindore. Të njëjtat kushte meteorologjike do të na shoqërojnë edhe gjatë natës. Për sa i përket situatës termike, temperaturat e ajrit do të rriten më lehtë në vlerat e mëngjesit por mesdita do të sjellë rritje me 2 gradë të tyre në të gjithë vendin. Era do të fryjë e lehtë me shpejtësi 25 km/h dhe drejtim Verilindor - Lindor, kjo do të bëjë që dallgëzimi në Adriatik dhe Jon të jetë i ulët.

Europa Nesër, Europa veriore edhe Europa Veriperëndimore do të karakterizohen nga kushte të paqëndrueshme atmosferike ku vranësirat dhe shirat me intensitet të lartë do të dominojnë këto rajone. Shira më të dendur do të bien në Norvegji, Suedi dhe Britani, në pjesën veriore të Norvegjisë do të ketë edhe reshje të pakta dëbore. Po ashtu me vranësira dhe shira do të mbetet Europa Qendrore dhe Vendet e Balltikut. Zhvillimi i vranësirave gjatë mesditës do të bëjë që zona e Alpeve dhe Italia të përfshihen nga shira intensive të cilat do të shoqërohen me stuhi ere dhe shkarkesa rrufesh. Shira në formë rrebeshi dhe temperatura të ulëta do të ketë në zonen e Alpeve. Ndërsa Europa jugperëndimore, Juglindore dhe Europa Lindore do të mbetet me kushte të qëndrueshme atmosferike pasi kthjellimet do të jenë dominuese në këto vende.

Ngjarje ekstreme në Europë: - Zona e Alpeve alarmon reshje shiu e dëbore dhe stuhi të forta ere - Vendet e Balltikut do të rrezikohen nga shira të konsiderueshëm - Norvegjia rrezikon shira të konsiderueshëm dhe stuhi ere a.y/NOA

KOMENTE