English

Qeveria hedh ushtrinë në “betejën e mbeturinave”

Athinë, 18 tetor 2011 - Athina e grevave të përditshme –sot janë gazetarët- përballet dhe me rrezikun e epidemive nga pirgjet e mbeturinave që mbeten nëpër rrugë për gati dy javë. Vëllimi i plehrave nëpër rrugë përllogaritet në 90.000 tonë. I njëjti problem edhe në Selanik. Pastruesit grevistë kërcënohen me suprimim të vendeve të punës dhe zëvendësimin e tyre nga firma private. Si kundërpërgjigje sindikata e tyre paralajmëroi se do të ndalojë të mbledhë plehrat edhe nga spitalet, shkollat dhe kopshtet siç bënte deri më sot. “Unë i paralajmëroj se nuk mund të ketë konsekuenca për shëndetin publik” deklaroi kryebashkiaku i Athinës Jorgos Kaminis, i cili i kërkoi drejtësisë që greva të shpallet e paligjshme. Angazhimi i tri firmave private nën mbrojtjen e policisë solli pak rezultat por mjaft incidente me grevistët nëpër rrugë dhe vendgrumbullimet e mbeturinave që mbahen të bllokuara. Në këto kushte qeveria vendosi që të hedhë në “betejën e mbeturinave” edhe ushtrinë duke vënë në dispozicion fillimisht 170 automjete. E majta flet për “zhvillim ekstrem dhe të rrezikshëm” dhe akuzon qeverinë se përdor ushtrinë si “mjet grevëthyes”. Grevistët ftohen nga sindikatat që të pastrojnë të paktën rrugët e qendrës së Athinës për manifestimet e grevës 48-orëshe.

KOMENTE