English

Reformimi i imuniteteve në Shqipëri

Në realitetin shqiptar ka pasur dhe ka një qëndrim publik të përbashkët. Ka nevojë të rishihet çështja e imunitetit, kufizimi i tyre në funksion të barazisë para ligjit, të luftës kundër korrupsionit Nga Fatmir Xhafaj Ne rikonfirmojmë qëndrimin tonë për domosdoshmërinë e kufizimit të imuniteteve të zyrtarëve të lartë e para së gjithash të deputetëve e anëtarëve të qeverisë. Situata aktuale e korrupsionit, konsolidimi i kulturës së pandëshkueshmërisë së tij në radhët e zyrtarëve të lartë e veçanërisht atyre që administrojnë pasuritë dhe buxhetin e shtetit e imponon një hap të tillë. Qytetarët, taksapaguesit e këtij vendi nuk mund të pranojnë që përfaqësuesit e tyre, zyrtarët e lartë të shtetit, ndërkohë që shpërdorojnë besimin e qytetarëve duke abuzuar me pasurinë dhe postin publik, në të njëjtën kohë t'i shmangen përgjegjësisë dhe llogaridhënies vetëm për shkak të një 'mburoje' procedurale të tillë si imuniteti. Shmangia nga përgjegjësia thellon pabarazinë përpara ligjit, duke cënuar rëndë demokracinë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Ndaj me shumë të drejtë njerëzit e thjeshtë, qytetarët - taksapaguesit e vërtetë të këtij vendi kanë një pritshmëri të lartë ndaj nesh, vendimmarrësve politikë për këtë çështje. Ka pasur diskutime dhe iniciativa të ndryshme për mënyrën se si do ta adresonim këtë çështje. Për shkak se u lexua keq opinioni i vitit 2006 i Komisionit të Venecias dhe më pas edhe ekspertiza e vitit 2008 nga OPDAT dhe Euralius është humbur kohë përmes iniciativave të dështuara të cilat nuk kanë adresuar trajtimin e çështjes në themel, por përdorimin e debatit rreth saj në funksion të politikës së ditës. Opozita ka mbajtur gjatë gjithë këtij debati një qëndrim konstant. Ka vetëm një rrugë për kufizimin/heqjen e imunitetit - përmes ndryshimit kushtetues. Ky është edhe përfundimi i arritur nga projekti i propozuar. E vlerësojmë këtë kontribut thelbësor të projektit dhe e konsiderojmë atë një bazë të shëndoshë për vazhdimin e mëtejshëm të procesit duke e futur atë në rrugën e përshtatshme kushtetuese e ligjore. Kjo përputhet tërësisht edhe me një prej propozimeve të bëra nga opozita përmes paktit të prezantuar publikisht. Përmes tij ne i kemi kërkuar mazhorancës aktuale (pika 8 e paktit) - Shprehjen e dakortësisë të të dy palëve se procesi kushtetues dhe parlamentar për kufizimin e imunitetit parlamentar nuk mund të jetë vazhdë e praktikës së gabuar pa konsultime publike dhe as asistencë ndërkombëtare të mirëfilltë që u ndoq nga të dy partitë e mëdha në momentin e ndryshimeve kushtetuese dhe të hapim një tryezë për rishikimin e Kushtetutës ku të përfshijmë për këtë çështje të rëndësishme edhe Komisionin e Venecias, t cilit i referohemi dhe pranojmë të gjitha palët. Është momenti që nëse kemi realisht vullnet pozitiv t’ia kursejmë kohën vetes, qytetarëve e partnerëve tanë dhe të hyjmë në thelbin e problemit, në diskutimin e amendamenteve konkrete. Projekti si edhe disa iniciativa të mëparshme kanë argumentuar se modeli bazë i konsideruar si bazë referimi është modeli gjerman. Ndër të tjera ka edhe një argument bindës për faktin se Kushtetuta jonë ka ngjashmëri në shumicën e normave në modelin gjerman. Kjo nuk do të thotë se nuk duhen konsideruar edhe praktikat e vendeve të tjera europiane që kanë ndjekur rrugën e ndryshimeve kushtetuese lidhur me kufizimin e imuniteteve siç është reforma kushtetuese e dekadës së fundit në Francë apo Itali. Gjithsesi personalisht çmoj se në çdo rast duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur ju referohemi praktikave të vendeve të tilla me standarde demokratike dhe shtet të së drejtës të konsoliduar. Kjo kërkon që të mbajmë në konsideratë realitetin e vendit tonë, shkallën e demokracisë e të funksionimit të sistemit të drejtësisë, kulturën politike në vend etj. Vlerësoj se propozimi i bërë nuk duhet parë i shkëputur nga një sërë rrethanash dhe faktorësh të tjerë të rëndësishëm pjesë e këtij realiteti në zhvillim e sipër. Ne duhet të mbajmë në konsideratë faktin e konstatuar me të drejtë edhe nga Komisioni i Venecias se në realitetin tonë përgjithësisht sa herë që është kërkuar heqja e imunitetit, ajo është dhënë nga organi kompetent. Përkundrazi. Kemi tejkaluar edhe në këtë rast të gjitha rekordet. Ka filluar praktika, që më parë kërkohet me pompozitet që herët në mëngjes heqja dorë vullnetarisht nga imuniteti dhe, nga mesdita merret vesh arsyeja – kërkesa e prokurorisë. Përse ?! Vetëm në vitet e fundit - koha kur flitet me më shumë pasion për kufizimin dhe deri heqjen dorë fare nga imuniteti - ka 3 raste të kërkesave për heqje imuniteti për ministra të qeverisë, kalim të çështjeve në gjyq dhe përfundimi mbyllja e çështjeve për shkak procedurash. Përgjegjësia konkrete e askujt. As e politikës, as e kuvendit, as e prokurorisë, as e gjykatës. Fajtor procedurat !!!. Ndërkohë që në këto vite po flitet dhe jo vetëm nga opozita, por edhe faktori ndërkombëtar që asiston e monitoron funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, për përpjekje të dukshme për kontroll politik nga ekzekutivi ndaj institucioneve të shërbimit sekret, gjyqësorit dhe prokurorisë se sa për policinë e shtetit është një gjë që pranohet pa koment. Koha në dispozicion dhe qëllimi i kësaj tryeze të respektuar nuk më mundësojnë për të hyrë në debate për çështje të kësaj natyre. Gjithsesi ja lejova vetes konstatimet e mësipërme thjesht e vetëm në funksion të argumentit se çdo propozim në këtë fushë duhet parë, analizuar dhe reflektuar në realitetin konkret e natyrisht në optikën e domosdoshmërisë që ky ndryshim i mirëpritur të japë efektet e kërkuara, të zgjidhë një problem real e konkret dhe jo të hapë një problem të ri. Komisioni i Venecias, ky organizëm prestigjioz me autoritet ndërkombëtar ka qenë shumë i kujdesshëm në opinionin e tij teksa ka nënvizuar ndër të tjera se dyshimet mbi përvojat ekzistuese përfshi edhe vet modelin gjerman bazohen edhe “… në shqetësimin se një heqje e përgjithshme e imunitetit mund të ndikojë në funksionimin e Parlamentit në tërësinë e tij, duke qenë se do të bënte të mundur fillimin e hetimeve selektive, arbitrare ose edhe politikisht të motivuara” dhe se “këto arsye duhet të merren seriozisht, por gjithashtu duhet të vendosen në kontekstin e tyre” Opinioni i Komisionit të Venecias rekomandon se mund të heqim/kufizojmë imunitetin parlamentar “.... nëse disa kushte procedurale dhe substanciale garantojnë se ky rregullim nuk krijon rrezikun që funksionimi i parlamentit, të cënohet në tërësinë e tij nga hetime selektive, arbitrare ose të motivuara politikisht” dhe se “një tërësi tjetër rregullash që ofrojnë garanci kundër fillimit të ndjekjes penale arbitrare ose për motive politike janë ato që mbrojnë pavarësinë e prokurorisë nga ndikimet politike dhe udhëzimet e posaçme të instancave politike” Kjo qasje edhe në rastin tonë mbështet interesin kushtetues, përveç të tjerash, që ky proces amendimesh të shërbejë efektivisht edhe për ruajtjen e garancive për rolin e çdo opozite dhe kontrollin ndaj pushtetit ekzekutiv, dhe të adresoj realisht shqetësimin se, në kushtet e mungesës së imunitetit, individ të caktuar në institucionet e zbatimit të ligjit mund të përdoren për qëllime politike për të goditur dhe frikësuar kundërshtarët politikë apo edhe vet gjyqtarët e prokurorët. Personalisht si politikan dhe si jurist kam bindjen e patundur se mbi të gjitha ka një rrugë përcaktuese për të luftuar realisht korrupsionin e për të vendosur barazinë e vërtet para ligjit. Ti japim pavarësinë reale dhe përgjegjshmërinë funksionale të munguar sistemit të drejtësisë, gjyqësorit dhe prokurorisë. Këtu fillon beteja e vërtetë për korrupsionin. Pa këtë çdo hap tjetër përfshi edhe heqjen e imunitetit pjesërisht apo edhe tërësisht mbeten masa gjysmake që mund të kthehen edhe në të kundërtën e vet. Në konkluzion ritheksoj se ne e vlerësojmë projektin e prezantuar dhe e mbështesim parimisht propozimin e bërë për nevojën e një sërë amendamenteve kushtetuese dhe në kuadrin ligjor në fuqi lidhur me kufizimin e imuniteteve. Vlerësojmë përfundimin e tij se ka nevojë për një qasje tërësisht kushtetuese në këtë proces. Ne rikonfirmojmë se kemi vullnetin e plotë politik dhe parlamentar të mbështesim iniciativën për amendime kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë të shtetit që bazohet në vlerën/parimin e barazisë para ligjit dhe synon të adresojë problemet e abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit përmes një procesi transparent parlamentar, me mbështetjen e ekspertizës së kualifikuar vendase e ndërkombëtare. Duke qenë tërësisht të bindur se ashtu siç rezulton edhe nga përvojat e arrira ndërkombëtare në këtë fushë, nga këshillat e vyera të ekspertizës ndërkombëtare si dhe rekomandimet më të fundit të raport progresit të BE-së, ky hap i rëndësishëm duhet të balancohet/harmonizohet me ndërhyrjet kushtetuese dhe amendimet legjislative në kuadrin ligjor në fuqi (Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për Policinë gjyqësore etj), në Rregulloren e Kuvendit si dhe në ligjet organike që rregullojnë funksionimin e institucioneve të drejtësisë për forcimin e pavarësisë dhe efiçenës së tyre. Propozimi i opozitës parlamentare është konkret. Të miratohet menjëherë një komision ad-hoc parlamentar që të shqyrtoj përmes një procesi transparent propozimet e bëra, në praninë dhe asistencën e kësaj ekspertize të kualifikuar ndërkombëtare e vendase, në konsiderim edhe të opinionit të Komisionit të Venecias për këtë çështje, si dhe të paraqesë një projekt konkret me propozimet e nevojshme për ndryshime kushtetuese e ligjore, pjesë e një reforme që synon realisht luftën ndaj korrupsionit përmes forcimit real të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve ligjzbatuese.

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi19:53 - 18 Tetor 2011
    Te jesh gropa me e zeze e Ballkanit,jo per faj te shqiptareve por per shume shkaqe historike dhe pas kesaj te pretendosh te hysh nga kjo grope ne pallatet Evropiane me njerez te edukar dhe kulturar qe tashme po i njohim,ky problem ne se shihet realisht,hapen jo pak e ca probleme te tjera per te cilat po s'u pershtate me durim,edukate,kuides,kulture jo si kjo qe e kemi deri me sot,krijon mekate te reja te cilat si thote populli yne,te kuitojne urtesine:Ndalu Beg sa ka hendek. Kasta jone politike po te kish vetem problemin e riparjes se imunitetit te politikaneve te saj,puna ishte shume me thjeshte,sepse do ta riparonin sakte dhe shpejt.Politikanet tane kushdo qofte tani kane 12 probleme o prioritete te pa zgjidhura,ti leme te tjerat.Por ne se nuk i zgjidhin nje nga nje,edhe kjo eshte nje nga menyrat per te mos i zgjidhur te 12-ta.