English

Shpëtohet vogëlushja 6 ditëshe, detajet e operacionit të rrallë

Tiranë, 18 tetor 2011, NOA - Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kryer për herë të parë një operacion tek një fëmijë vetëm 6 ditësh. Belkiza Beqo është sjellë me urgjencë nga Materniteti i Tiranës për diagnostikim sa më të shpejtë pasi diagnoza e saj ishte e vështirë dhe kërkonte ndërhyrje të menjëhershme. Gjatë një konference për shtyp mjekët pediatër, kardiologë dhe kardiokirurgë kanë pohuar se tashmë Belkiza është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa kanë kryer edhe një nga ekzaminimet për të parë ecurinë e vogëlushes. “Ky ishte një nga ato operacione dhe ndërhyrje të cilat nuk prisnin kohë, por kërkonin një ekip të specializuar të mjekëve. Është pikërisht stafi i kardiokirurgjisë i cili ka kryer për herë të parë këtë ndërhyrje tek një fëmijë 6 ditësh me një peshë 3 kg. Mbas këtij operacioni edhe në ditët në vijim për kirurgët puna ka qenë mjaft intensive pasi vetëm në 10 ditë janë realizuar 30 operacione tek fëmijët duke filluar nga diagnozat më të lehtë e deri tek ato të vështirat” ka pohuar Drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku.

Belkiza është fëmija i tretë i çifti Beqo. Në momentin e lindjes mjekët neonatologë kanë vënë re një cianozë (nxirje) duke e cilësuar si një problem shëndetësor. Brenda ditës është bërë transporti për në QSUT, brenda orëve të para të jetës duke menduar për një problem të zemrës. Me diagnostikimin e bërë rezultoi një problem i enëve të mëdha të gjakut, një diagnozë që kërkon ndërhyrjen kirurgjikale me urgjencë, brenda dy javëve të para të jetës. Për kardiokirurgët kjo mbetet një nga ndërhyrjet e para e bërë në një moshë kaq të vogël të fëmijës. a.q/NOA

KOMENTE