English

Superprocesi Gërdeci, shtyhet për të enjten pretenca për të pandehurit

Tiranë, 18 tetor 2011, NOA – Mungesa e avokatëve mbrojtës të disa prej të pandehurve kryesorë të superprocesit Gërdeci ka bërë që Gjykata e Tiranës ta shtyjë dhënien e pretencës së prokurorëve për 29 të pandehurit duke shtyrë edhe marrjen fund të maratonës së Gërdecit. Seanca e sotme, e cila ishte e dyta pas asaj të djeshme është ndërprerë për të vijuar të enjten, vetëm 15 minuta pas vijimit të leximit të dosjes me pretencat e 29 të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit. Kanë qenë prokurorët Petrit Bisha, Altin Dumani, Genci Qano dhe Ajeta Zaimi që kanë vijuar sot me leximin e dosjes, pa mundur ta konkludojnë për mungesë të avokatëve të 11 të pandehurve, mes të cilëve avokatët e Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit, Sokol Ngjeçit dhe Dritan Minxollit. Ndërkohë burime nga Gjykata e Tiranës thanë se sipas ligjit pas leximit të plotë të pretencës të 29 të pandehurit kanë të drejtën e fjalën. Gjatë seancës së të hënës prokurorët lexuan 136 faqe pretencë nga 500 faqe gjithsej. Gjatë leximit të pretencës prokurorët thanë se në fabrikën e Gërdecit demontimi kryhej pa asnjë kusht sigurie për punëtorët, ndërkohë që shteti pësoi 2.4 miliardë lekë dëme. Edhe pse shpërthimi në fabrikën e çmontimit të armëve në Gërdec u kushtoi jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë katër të pandehurit kryesorë janë jashtë qelive të burgut për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit. Supergjyqi Gërdeci për më shumë se dy vite nga nisja e procesit ka shënuar rreth 150 seanca gjyqësore. mit/NOA

KOMENTE