Gjyqtarë e politikanë e konsiderojnë imunitetin si koracë Tiranë, 18 tetor 2011, NOA – Presidenti i Republikës Bamir Topi i bëri thirrje klasës politike të bashkohet në reformimin e sistemit të imuniteteve, si shans i volitshëm për transparencë në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Gjatë konferencës për reformimin e sistemit të imuniteteve e organizuar nën kujdesin e dy projekteve të financuara nga Bashkimi Europian, Presidenti Topi theksoi se kjo konferencë është tejet me rëndësi duke qenë se ajo mbahet pas publikimit të raport-progresit të KE-së për Shqipërinë. Duke iu referuar faktit se në raport flitej edhe për reformimin e sistemit gjyqësor dhe korrupsionin, Kreu i Shtetit deklaroi se zyrtarët e lartë të shtetit, gjyqtarë e politikanë shpesh e kanë konsideruar imunitetin si një koracë për shkeljet e tyre penale. Në këtë suazë Presidenti i bëri thirrje forcave politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët për arritjen e kësaj sfide të madhe jo vetëm të integrimit. “Kërkesa kushtetuese për reformimin e sistemit të imuniteteve bën që sekreti hetimor të vihet në shërbim të shumë individëve për të gjitha provat për zyrtarët e akuzuar. Tashmë është e qartë se reformimi i sistemit të imuniteteve është tejet i nevojshëm, duhet që barazia para ligjit të jetë sa më e prekshme. Vendet e Europës e kanë bërë këtë shumë vite më parë, duke e parë jo si një detyrim për integrimin”, tha Presidenti Topi. Ai theksoi se për reformimin e sistemit të imuniteteve kërkohet vullnet i përbashkët që përkthehet në një konsensus mes palëve. “Duhet gjetur gjuha e përbashkët që të mos pengohen diskutimet për reformimin e këtij sistemi. Kuvendi duhet që nëpërmjet Komisionit të Ligjeve të nisë menjëherë nga puna dhe të propozojë ndryshimet e nevojshme për reformimin e sistemit të imuniteteve në Shqipëri”, nënvizoi Kryetari i Shtetit duke shtuar se “Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për teknikë komunikimi, dialog, për ndërgjegjësim se sfida e madhe e integrimit kërkon punë”. Duke folur për aspiratën e integrimit si një sfidë e përbashkët dhe një vlerë e jo detyrim, Presidenti tha se reformimi i sistemit të imuniteteve nuk mund të jetë i suksesshëm nëse nuk ka bashkëpunim, dialog qytetar. “Është momenti të ndërgjegjësohemi më shumë se kurrë se në këtë luftë përdrejt Europës jemi të tërë të fituar apo të tërë të humbur. Shqipëria ka shumë personalitete, specialistë të trajnuar në shkollat më të mira, në institucionet më të mira të BE-së dhe do të dinë që së bashku të shkëmbejmë eksperiencat për t’i hapur rrugën vendimmarrjes nga Parlamenti për të vënë në jetë këtë aspiratë evropiane”, u shpreh Presidenti i Republikës gjatë konferencës ku merrte pjesë edhe ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi. mit/NOA