English

Wollfarth: 21 janari tregoi se policia ka nevojë për ndihmë

Tiranë, 18 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një ceremoni e veçantë u mbajt në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas qeveria holandeze e orientuar nga OSBE i dhuroi kësaj të fundit 5 automjete për menaxhimin e krizave. Ndërkaq në fjalën e mbajtur me këtë rast kreu i prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth, iu rikthye ngjarjeve të rënda të 21 janarit duke shprehur keqardhje pasi katër qytetarë shqiptarë humbën jetën, duke shtuar më tej se ato ishin tragjike për Shqipërinë. “Sistemi shtetëror ende vazhdon të sfidohet nga pasojat e kësaj ngjarjeje. Ajo çka ndodhi atë ditë thekson gjithashtu nevojën e qartë për përmirësimin e performancës së autoriteteve shtetërore, duke u fokusuar në këtë rast te aftësia e policisë së shtetit për të kryer misione të kontrollit të turmave. Menjëherë pas demonstratave të dhunshme, Prezenca e OSBE-së vendosi t'i ofrojë ndihmesë Policisë së Shtetit në mënyrë që të garantohet një përballim më i mirë nga policia i demonstratave të dhunshme, si dhe për të ndihmuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më”. Ai shtoi më tej se nëpërmjet Këshilltari i Lartë i Policisë në atë kohë, Klaas Los, ndihmoi në realizimin e kontakteve me policinë holandeze, të cilat rezultuan në një Mision për Vlerësimin e Nevojave në lidhje me kapacitetet e Policisë së Shtetit për të kontrolluar turmat, i cili nisi dhe u realizua menjëherë më pas. Wollfarth tha se Policisë së Shtetit i duhen përgjithësisht tri gjëra bazë: përkushtimi, trajnimi dhe pajisjet, duke shtuar se asnjëra prej tyre nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase pa praninë e tjetrës. Ai theksoi se kur policia përballet me ngjarje potencialisht të dhunshme, këta tre elementë bëhen më vendimtarë se kurrë dhe se Policia e Shtetit duhet të pajiset me mjetet e nevojshme për të kryer punën e vet. Sipas tij dhurata e automjeteve është bërë për të përballuar kryesisht menaxhimin e krizave. Ndërkaq të pranishëm në këtë aktivitet ishin Minstri i Brendshëm, z Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, Zv/Ambasadori i Holandës, Hans Teunissen, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të policisë. Ministri i Brendshëm, Nishani, gjatë fjalës përshëndetëse në këtë ceremoni, vlerësoi dhe shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë partnerëve dhe bashkëpunëtorëve të Policisë së Shtetit, siç është edhe prezenca e OSBE-së në Tiranë, për kontributin në një nga betejat kryesore për çdo shoqëri, atë të luftës ndaj krimit, ndaj trafiqeve si dhe në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, në interes të qytetarëve dhe opinionit publik. “Për mua është kënaqësi e veçantë kur shoh se Policia e Shtetit e Shqipërisë konsiderohet sot si një partner serioz dhe i ngushtë i shumë agjencive prestigjioze të vendeve anëtare të BE dhe përtej tij, në luftën e përbashkët kundër krimit, kundër trafiqeve. Kjo arritje ka qenë një rrugë e gjatë dhe përmes vështirësish të shumta. Oficerët dhe Policia shqiptare kanë ditur të tregojnë se janë të gatshëm të ofrojnë edhe sakrificën sublime. Kjo vetëm e rrit respektin, e konsolidon institucionin, e forcon rendin dhe sigurinë dhe padyshim konsolidon shoqërinë tonë, të cilën neve kemi për detyrë jo vetëm ta forcojmë akoma më shumë, por t’i japim të gjithë atë ç’ka ajo meriton.”, theksoi Nishani. Në përfundim të kësaj ceremonie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe Zv/Ambasadori Holandez, Hans Teunissen, nënshkruan aktin e dhurimit të automjeteve për Forcat Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë. Automjetet e dhuruara, të pajisura me shtresë mbrojtëse, do të ndikojnë në rritjen e kapaciteteve profesionale të Forcave Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, për menaxhimin dhe kontrollin e turmave apo trazirave të mundshme, konform standardeve të BE. a.y/NOA

Në foton e parë: Ambasadori i OSBE ne Tirane Eugen Wollfarth

Në dy fotot e tjera: Pamje nga ceremonia e dhurimit të automjeteve

KOMENTE