Tirana, 18 tetor 2011, NOA- Në konferencën e mbajtur për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve deputeti socialist Fatmir Xhafa u shpreh se në realitetin shqiptar ka nevojë të rishihet çështja e imunitetit me qëllim funksionimin në mënyrë të barabartë para ligjit. Sipas tij është e domosdoshme kufizimi i imuniteteve të zyrtarëve të lartë duke theksuar se kryesisht heqja e imunitetit është e nevojshme për deputetët dhe anëtarët e lartë të qeverisë. “Opozita ka mbajtur gjatë gjithë këtij debati një qëndrim konstant. Ka vetëm një rrugë për kufizimin/heqjen e imunitetit, përmes ndryshimit kushtetues”, u shpreh Xhafa. Ai shtoi se vetëm në vitet e fundit ka qenë koha kur flitet me më shumë pasion për kufizimin dhe deri heqjen dorë fare nga imuniteti, ka 3 raste të kërkesave për heqje imuniteti për ministra të qeverisë, kalim të çështjeve në gjyq dhe përfundimi mbyllja e çështjeve për shkak procedurash, duke thënë se për këtë janë fajtor procedurat. Ndër të tjera Xhafa theksoi se, “Opinioni i Komisionit të Venecias rekomandon se mund të heqim/kufizojmë imunitetin parlamentar “.... nëse disa kushte proceduriale dhe substanciale garantojnë se ky rregullim nuk krijon rrezikun që funksionimi i parlamentit, të cenohet në tërësinë e tij nga hetime selektive, arbitrare ose të motivuara politikisht” dhe se “një tërësi tjetër rregullash që ofrojnë garanci kundër fillimit të ndjekjes penale arbitrare ose për motive politike janë ato që mbrojnë pavarësinë e prokurorisë nga ndikimet politike dhe udhëzimet e posaçme të instancave politike”. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se propozimi i opozitës parlamentare është konkret, duke kërkuar që të miratohet menjëherë një komision ad-hoc parlamentar që të shqyrtoj përmes një procesi transparent propozimet e bëra, në praninë dhe asistencën e kësaj ekspertize të kualifikuar ndërkombëtare e vendase, në konsiderim edhe të opinionit të Komisionit të Venecias për këtë çështje, si dhe të paraqesë një projekt konkret me propozimet e nevojshme për ndryshime kushtetuese e ligjore, pjesë e një reforme që synon realisht luftën ndaj korrupsionit përmes forcimit real të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve ligjzbatuese. a.y/NOA