English

Europa sërish thirrje politikës: Nisni dialogun

Tiranë, 19 tetor 2011, NOA/Arjola Ymeraj- Një tjetër apel vjen nga Europa për klasën politike shqiptare, të cilës edhe këtë herë i kërkohet të ulet për dialog. Kjo pasi ditën e sotme Këshilli i Europës miratoi një rezolutë për Shqipërinë ku i kërkon partive politike të nisin urgjentisht dialogun dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për arritjen e standardeve për zgjedhje më të mira në vijim. Rezoluta u miratua me 87 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim gjatë seancës së Kongresit të Autoritetit Rajonal dhe Lokal në Këshillin e Europës ku u diskutua për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe rekomandimet për zgjedhje më të mira. Pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë, KiE i bëri thirrje liderëve të partive politike shqiptare të tregojnë maturi në ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë për integrimin në familjen europiane. Gjatë seancës së Kongresit të Autoritetit Rajonal dhe Lokal të Këshillit të Europës u diskutua për afro 30 minuta raporti mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri i hartuar nga raportuesi i Partisë Popullore, Volkram Gebel. Në këtë raport thuhet se zgjedhjet lokale të 8 majit ishin shumë të rëndësishme dhe se ato u zhvilluan në mënyrë demokratike duke veçuar situatën në Tiranë ku nënvizohen tensione politike. Sipas Gebel numërimi i votave u shoqërua me tensione dhe polaritet politik për shkak të interpretimeve të ndryshme lidhur me procesin. Në fund të raportit Gebel i bëri thirrje forcave politike në Shqipëri që të nisin menjëherë dialogun politik në mënyrë që të zhvillojnë zgjedhje më të mira në vend dhe të pakontestuara. Delegacioni i vëzhgues vizitoi Shqipërinë gjatë muajve prill e maj, ku 7 ekipe zhvilluan takime me palët e politikës si monitoruan ditën e zgjedhjeve elektorale në Tiranë e qytetet e tjera. Ndërkaq më tej Kongresi i kërkoi Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës që të transmetojë rekomandimet dhe memorandumin e tij shpjegues për autoritetet shqiptare, duke i ftuar ata të marrin në konsideratë sugjerimet e Kongresit dhe në veçanti për të rishikuar Kodin Zgjedhor, nëse kërkohet nga standardet ndërkombëtare ose nga vështirësitë e hasura në veçanti gjatë zgjedhjeve.

Raportuesit e KiE: Mungesa e besimit, problem në Shqipëri

një intervistë për televizionin “ABC News”, raportuesi për zgjedhjet vendore në Shqipëri, Volkram Gebel, shprehet se procesi zgjedhor në Shqipëri u ndikua negativisht nga situata anormale e të qenit kryetar bashkie kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili më 8 Maj garoi për një mandat të katërt. Sipas Gebel, por edhe përfaqësuesve të tjerë të KiE-s të cilët prononcohen në këtë televizion, ky ishte një problem, që tensionoi dhe polarizoi ndjeshëm procesin zgjedhor. Kurse Amy Koopmanschap pohon se, “Ky ishte një nga problemet që shkaktoi kaq shumë tensione. Kur kjo të ndryshojë, le të shpresojmë se do të shkojë më mirë në të ardhmen”. “Më duhet të them, se procedurat kanë qenë të mira, ndërkohë që problemi është mungesa e besimit në Shqipëri. Politikanët duhen të flasin njëri tjetrin dhe të zgjidhin këto probleme. Iniciativë e Kongresit për t’i kërkuar të dyja palëve që të punojnë së bashku për procedurat zgjedhore, për procesin zgjedhor në përgjithësi, se si të punohet së bashku në Shqipëri është një procedurë e mirë. Kjo është mënyra e vetme që kemi si Kongres dhe ndaj ne duam ta shfrytëzojmë atë”, tha Amy Koopmanschap. Gjithsesi Këshilli i Europës këmbëngul populli shqiptar dhe politikanët shqiptarë janë ata që duhet t’i zgjidhin vetë problemet. a.y/NOA

KOMENTE