English

Europa, shqiptarët dhe nacionalizmi provincial

Alban Daci Situata aktuale e Europës për shkak të krizës ekonomike është jo kritike, por e lëkundur. Nuk them kritike, sepse duke pasur parasysh të kaluarën e saj, ajo ka treguar se është në gjendje të kapërcejë momente edhe më të vështira, se sa kriza ekonomike. Për të vërtetuar këtë mjafton të citojmë dy konfliktet e mëdha botërore. Nga këto konflikte Europa doli e shkatërruar materialisht, e rrënuar ekonomikisht dhe humbi shumë jetë njerëzish, por shpresa e saj për të siguruar një të ardhme më të mirë jo vetëm nuk u shua, por u forcua edhe më me shumë bindje përballë realiteteve të reja të shfaqura nga koha dhe të përfaqësuar nga hapësira. Gjithashtu, nga ekstremet e majta dhe të djathta europiane po shfaqen rrezikshëm nacionalizmat rajonal, ose të themi më mirë “patriotizmat provincial”, të cilat edhe pse tani nuk janë në nivele shqetësuese ndërkombëtare, nëse do të tolerohen, ashtu siç ndodhi edhe me aventurën e Hitlerit, do të jenë një kërcënim real për të ardhmen e gjithë Europës. Nacionalizmat provincialë janë shumë të pranishme në gjithë Europën dhe për shkak të krizës ekonomike që po përjeton ajo, mund të përfitojnë terren gjithnjë e më shumë. Për shembull, një formë e ekstremizmit provincial është partia dhe lëvizja “Lega Nord” (në shqip “Lidhja e Veriut”) në Itali. Kjo, lloj lëvizje mbi burime të deformuar historike, beson në ekzistencën e një populli padan. Lideri historik i kësaj force, Umberto Bossi- një model modern i Hitlerit- ka shfaqur ide të ndryshme, duke ofenduar herë pas here elementet përbërëse të shtetit nacional italian. Vetëm pak kohë më parë, duke shfrytëzuar krizën e aktuale ekonomike të Italisë dhe të vetë Europës, ka kërkuar se ka ardhur momenti që populli padan të vetëvendos për vetën dhe nuk mund të mbajë më në shpinë italianët e Jugut. Pra, mjaftojmë të analizojmë radikalizmin e deklaratave të Bossi-t, për të kuptuar se lëvizja e tij dhe të tjera si ajo, po përfitojnë shumë terren në Europës, për shkak të situatës të lëkundur ekonomike. Nacionalizmat provincialë po shfaqen fuqishëm edhe në Ballkan, të cilët, në ndryshim nga vendet e tjera të Europës Perëndimore, nuk përfaqësohen nga lëvizje të vogla të disa pakicave qytetare që mendojnë ndryshe, por nga vetë shtetet nacionale. Në Ballkan, ndryshe nga Europa, nacionalizmin provincial e bëjnë shtetet nacionale përmes politikave të tyre të brendshme dhe të jashtme. Në Ballkan, përfaqësuesit më të mirë të kësaj politike provinciale, janë serbët dhe shteti i tyre nacional, të cilët përmes politikës së tyre të jashtme agresive po përpiqen të rifitojnë kohën e humbur në Kosovë. Ata, mendojnë akoma sot që përmes barrikadave dhe bojkotit të bëjnë invazione ekonomike dhe politike agresive mbi Kosovën. Nuk mungojnë edhe raste të tjera, ku shtete nacionale të Rajonit, përmes konjukturave dhe grupeve të interesit, të besojnë mbi nacionalizmin provincial dhe ta përdorin atë me shpresën se mund të gllabërojnë përsëri territore të huaja. Kjo është një mendësi jo vetëm e vjetër, por edhe shumë e rrezikshme. Pra, çdo lëvizje politike, apo edhe shtet nacional që pretendon, se mund të përfitojë territore apo influenca në Ballkan duke përdorur në formë të deformuar kartën nacionaliste, është jashtë kohe dhe rrezikon të zhytet në reaksione zinxhirë që ofron vetë historia. Duke pasur parasysh këtë lloj panorame, që shfaqet në Europë, duhet t’i rikthehemi dhe t’i referohemi Federalizmit Europian. Më të famshmit dhe më të rëndësishmit e Federalizmit Europian, janë padyshim intelektualët italianë, si: Spinelli, Rossi, Albertini. Është e rëndësishme të theksojmë, se qëllimi dhe impenjimi i federalistëve italian ishte dimensioni mbinacional i federalizmit. Ato luftuan për një Europë ndryshe, jo të mbyllur në kafazet e shteteve nacionale, por të hapur duke krijuar një sentiment të ri që do t’u përkiste të gjithëve, i cili do të emërtohej “Europianizëm”. Europianizmi i Spinelli-t, nënkuptonte krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës përmes një asambleje kushtetuese europiane. Në terma më të thjeshtë, përkthehej, se për shkak të kaluarës së përgjakshme, vendet europiane duhet të bashkoheshin në një shtet të vetëm dhe të përbashkët europian nën formën federaliste. De Gasperi, në kohën e tij, shkruante: “Nuk është e vërtetë që limitimi i mjeteve që ne disponojmë na shtyn neve të jemi në favor të krijimit të Europës së Bashkuar”. Të integrohesh në Europë, para së gjithash do të thotë krijimi i një projekti të mirëfilltë politik, që duhet të ketë një valencë të rëndësishme, si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Vendosja e lidhjeve më të ngushta mes vendeve të Europës, do të thotë se Europa do të jetë më e bashkuar nga brenda dhe më e fortë nga jashtë. Ne, shqiptarët, duhet të bëhemi pjesë e këtij projekti të madh politik nëse nuk duhet të margjinalizohemi brenda një strofulle të ngushtë dhe të pasigurt, siç është shteti nacional, ose forma e deformuar e tij “nacionalizmi provincial”. Ballkani dhe Shqipëria kanë shumë nevojë për federalizmin europian dhe doktrinën e tij. Federalizmi, që në formën e tij të parë të realizuar konkretisht me krijimin e shteteve të Bashkuara të Amerikës, u krijua si një kundërreaksion ndaj despotizmit, si një liri kundër nacionalizmit agresiv; formë bashkëpunimi mes shteteve kundër formës konfliktuale dhe të përgjakshme, që kishte prodhuar shteti nacional me format e tij; pushteti të ishte sa më pranë qytetarëve dhe jo në dorën e burokratëve, siç ndodhte tek shteti nacional. Amerika është karakterizuar tradicionalisht, mbi të gjitha, nga shpresa. Historia e saj mbështetet në një shpresë pothuajse mesianike; një besim te Amerika si toka e shpëtimit, çlirimit dhe fillimeve të reja. Ndërsa Europa e shek. XX u ndërtua mbi idenë e kapërcimit të historisë. Ne, shqiptarët, duke mbështetur fort europianizmin modern, duhet të ringjallim shpresën tonë, e cila është anëtarësimi me të drejta të plota në Europë. Ndërsa, vetë Europa duhet të punojë dhe të shpresojë jo vetëm për të harruar të kaluarën, sepse kjo tashmë është arritur, por për të formuar të ardhmen, që janë Shtetet e Bashkuara të Europës. *Autori është anëtar i "Lëvizjes Federaliste Europiane"

KOMENTE