English

Festa e PDK dogji presidenten Jahjaga

Prishtinë, 19 tetor 2011, NOA - Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me fjalimin e saj në dymbëdhjetëvjetorin e themelimit të PDK-së, nuk është dalluar nëse është presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës, apo anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Gjatë fjalimit të saj para anëtarëve të PDK-së, Jahjaga ka lavdëruar partinë e kryeministrit Hashim Thaçi më shumë sesa vetë lideri i saj, shkruan Koha net. “Përfaqësuesja e unitetit të popullit, të hënën e harroi këtë mision duke folur sikur në Kosovë të ekzistonte vetëm Partia Demokratike e Kosovës, të cilës i ka atribuuar të gjitha meritat për organizimin e luftës dhe bërjen e saj, krijimin i institucioneve, pavarësimin e vendit e deri te integrimi në mekanizmat ndërkombëtarë”, shkruan media kosovare. Ky fjalim i presidentes ka prekur në palcë partitë tjera në vend, anëtarët e të cilave, me ironi shtrojnë pyetjen nëse presidentja ka lexuar fjalimin e saj, apo i është ngatërruar me atë të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, shkruan zot gazeta “Zëri”. Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fidan Jupolli, thotë se presidentja Jahjaga ka marrë mësysh në momentin që është gjendur afër anëtarëve të PDK-së, dhe si rrjedhojë e ka huq qëllimin, duke folur jo si kryetare e vendit, por si zëdhënëse e kësaj partie. Kohanet/NOA

KOMENTE