English

Filmi “Falja e gjakut” çmim special në Amerikë

Nju Jork, 19 tetor 2011, NOA – Pas marrjes së trofeut Ariu i Argjendtë për skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, filmi “Falja e Gjakut” me regjisor Joshua Marston e skenarist Andamion Murataj nderohet me Çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hamptons të Nju Jorkut. Festivali i Filmit në Hamptons nuk ka një çmim që i dedikohet skenarit, por motivacioni i çmimit të dhënë ishte ky: “Për rrëfimin e shkëlqyer që e bën këtë eksperiendcë specifike kulturore të ndihet thellësisht personale”. I krijuar 19 vjet më parë Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Hamptons të Nju Jorkut vlerëson çdo vit kinemanë autore. Festivali prezantoi për herë të parë një spektër unik filmash ndërkombëtarë që sollën vizione të reja dhe eksperienca të ndryshme globale. Pikërisht në këtë festival kanë patur premierën lindore të Amerikës shumë filma fitues të Çmimit Oskar si “Fjalimi i Mbretit” apo “Mjelma e Zezë”. Pas marrjes së çmimit regjisori Joshua Marston u shpreh se ishte i lumtur për çmimin duke falenderuar të gjithë njerëzit që punuan dhe ndanë eksperiencat e tyre jetësore në realizimin e këtij filmi. Ndërsa skenaristi Andamion Murataj, si bashkautor i filmit do të shprehej kështu: “Jam i nderuar që prezantohemi në një mënyrë të tillë në “East Coast”, i cili ka vendosjen më të madhe të shqiptarëve në Amerikë por edhe të shumë kombeve të tjerë, me të cilët ndajmë të njëjtat eksperienca. Nuk e fsheh dot lumturinë që pas suksesit të filmit në Europë pritemi në të njëjtën mënyrë dhe në Amerikë”. mit/NOA

Në foto: Andamion Murataj, Joshua Marston, producenti i filmit "Falja e Gjakut" gjatë takimit me kryebashkiakun Lulzim Basha pas marrjes së "Ariut të Argjendtë" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.

KOMENTE