English

Gurë dhe gaz lotësjellës në Athinë

Athinë, 19 tetor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Vjeshta ka mbërritur e përflakur në Greqi. I gjithë vendi është zgjuar sot tërësisht i paralizuar nga greva e paralajmëruar 48 orëshe e administratës, sindikatave dhe mijëra qytetarëve kundër masave shtrënguese të qeverisë. Mediat vendase raportojnë se një prej tubimeve më të mëdha të viteve të fundit po zhvillohet në këto momente në qendër të Athinës, nën masa shumë të larta sigurie. Konfirmohet se protestuesit, shumica prej tyre të mbuluar me maska kanë sulmuar me gurë dhe kokteje Molotov policinë e cila është kundërpërgjigjur fuke përdorur gazin lotësjellës. Agjencia Reuter raporton se protestuesit po përpiqen të prishin gardhin metalik që rrethon Parlamentin Grek ku pritet të votohet paketa e masave antikrizë. Greva e përgjithshme u thirr nga dy sindikatat më të mëdha të Greqisë, pasi parlamenti është duke u përgatitur të mbajë votimin të enjten lidhur me masat shtrënguese të cilat përfshijnë ngritje të tatimit, ulje te pagave dhe shkurtime për vendet e punës. Masat shtrënguese të reja janë kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në këmbim të fondeve të shpëtimit për Greqinë e cila është futur në borxhe të mëdha. a.q/NOA

KOMENTE