Tiranë, 19 tetor 2011, NOA – Në mbarë vendin sot është festë kombëtare për nder të kremtimit të përvjetorit të tetë të lumturimit të bamirëses së madhe shqiptare, Nënë Terezës. Gruas shtatvogël por shpirtmadhe që i dhuroi mirësi të varfërve, të munduarve e të pashpresëve. Nënë Tereza e Kalkutës siç ajo njihet nga të gjithë u lumturua nga Papa Gjon Pali II, Carol Vojtila në 19 tetor të vitit 2003. Misionarja me buzëqeshje aq të vyer, që emrin e lindjes e ka Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910. Gonxhe Bojaxhiu u largua që në moshë të re nga familja e saj për tu vendosur përfundimisht në Kalkuta të Indisë ku pas drejtimit të shkollës së vajzave, Nënë Tereza do të themelonte urdhrin “Misionaret e Dashurisë”, për të cilin do të njihej më pas në mbarë botën si “Nënë Tereza e Kalkutës”. Ajo vuri në jetë atë që dëshironte të shpërndante dashurinë e Jezu Krishtit tek njerëzit. Për këtë kontribut ndaj njerëzve, Nënë Tereza u nderua me çmimin Nobel për paqen në vitin 1979. Ky ishte momenti kur e tërë bota do ta njihte kombësinë e saj shqiptare edhe pse vetë gruaja me buzëqeshje hyjnore nuk e kishte mohuar kurrë. “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Kështu do t’i përgjigjej Nënë Tereza një kleriku, i cili e pyeti për prejardhjen e saj. Ndërkohë që gruan shtatvogël e hyjnore prej mirësisë e vizitonin në Kalkutë dhjetëra liderë shtetesh të mëdha si ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush, Jimmy Carter, Yasser Arafat, princesha Diana, Shqipëria nuk e lejoi të hynte në territorin amë as për të qarë në varrin e nënës deri në fillim të viteve 90 kur Nënë Tereza do të puthte e prekte tokën shqiptare. Pasi u shërbeu për një gjysmë shekulli të varfërve dhe të pashpresëve në Indi, Nënë Tereza e Kalkutës vdiq në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeçare. Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, ndërkohë që prej disa kohësh shteti shqiptar ka kërkuar rikthimin e eshtrave të saj në Shqipëri. Por, kjo kërkesë është cilësuar e pavend dhe e pakuptimtë e nuk është mirëpritur nga India, e cila e konsideron Nënë Terezën si Shenjtoren e Kalkutës. Ndërkohë për të gjithë kontributin e dhënë ndaj njerëzve pritet që Nënë Tereza pas lumturimit të saj tetë vite më parë, të shenjtërohet. mit/NOA