Bruksel, 19 tetor 2011, NOA – Këshilli i Europës sapo ka miratuar një rezolutë për Shqipërinë ku i kërkon partive politike të nisin urgjentisht dialogun dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për arritjen e standardeve për zgjedhje më të mira. Rezoluta u miratua gjatë seancës së Kongresit të Autoritetit Rajonal dhe Lokal në Këshillin e Europës ku u diskutua për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe rekomandimet për zgjedhje më të mira. Pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë, KiE i bëri thirrje liderëve të partive politike shqiptare të tregojnë maturi në ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë për integrimin në familjen evropiane. Gjatë seancës së Kongresit të Autoritetit Rajonal dhe Lokal të Këshillit të Europës u diskutua raporti mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri i hartuar nga raportuesi i Partisë Popullore, Volkram Gebel. Në këtë raport thuhet se zgjedhjet lokale të 8 majit ishin shumë të rëndësishme dhe ato u zhvilluan në mënyrë demokratike. Sipas Gebel numërimi i votave u shoqërua me tensione dhe polaritet politik për shkak të interpretimeve të ndryshme lidhur me procesin. Në fund të raportit Gebel i bëri thirrje forcave politike në Shqipëri që të nisin menjëherë dialogun politik në mënyrë që të zhvillojnë zgjedhje më të mira në vend dhe të pakontestuara. mit/NOA