English

Një ditë pas shpërthimit në minierë, minatorët bojkotojnë punën

Bulqizë, 19 tetor 2011, NOA – Një ditë pas shpërthimit të gazit në minierën e Bulqizës ku vdiq tragjikisht minatori Naim Shyti dhe u plagosën tetë të tjerë, tre prej tyre në gjendje të rëndë, minatorët e Bulqizës nuk kanë dalë sot në punë. Ata kanë bojkotuar punën në shenjë hidhërimi dhe proteste për shpërthimin e djeshëm në minierë në nivelin 17-të të pusit nr. 2. Pas shpërthimit të gazit hidrogjen në minierën e Bulqizës ndërsa punëtorët ishin në punë reagoi edhe Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave pranë METE-s, sipas të cilit shpërthimi i hidrogjenit në nivelin e 17-të ishte i paparashikuar, ndërsa ndodhi në një moment kur minatorët po kryenin punime në tubacionin e gazit, për të cilin nuk ishin të specializuar. Sipas RISHM-it puna në nivelin e 17-të të minierës ishte pezulluar nga ekspertët për shkak se po kryheshin punime. Nga shpërthimi i gazit në minierë gjeti vdekjen minatori Naim Shyti dhe u plagosën minatorët Hajri Koçi, Bastri Toska, Zaim Përkola e Xhelal Ruçi, Luan Lila dhe Gëzim Lami. Ndërkohë u nxorr fatmirësisht gjallë nga miniera minatori Astrit Çupi, i cili arriti të shpëtojë falë ndërhyrjes së forcave të emergjencës civile. Tre nga të plagosurit iu nënshtruan operacionit për disa orë rresht në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Njëri prej minatorëve të mbijetuar ka komentuar ngjarjen duke thënë se u është dashur të zvarriteshin për t’i shpëtuar valës së gazit të shpërthyer në nivelin e 17-të, ku në momentin e shpërthimit ndodheshin nëntë minatorë. Ndërkohë pas thirrjes me urgjencë të Shtabit të Emergjencës, ministri i Energjitikës Nasip Naço ka ngritur një ekip pune të drejtuar nga zv/ministri Neritan Alibali, të cilët do të verifikojnë nëse punëtorët e firmës koncensionare ACR, ishin duke kryer veprime kundër urdhrit të dhënë nga METE, apo ishin në minierë për riparimin e defekteve të konstatuara për shkak të ndërprerjes së punimeve. Pas shpërthimit të gazit ka reaguar edhe kompania koncensionare ACR, e cila shprehu hidhërimin e thellë për humbjen e jetës së punëtorit të ajrimit Naim Shyti. “ACR ka vendosur të marrë masat për trajtimin shëndetësor të minatorëve të plagosur”, bëri me dije ACR përmes një komunikate. Ky shpërthim tragjik në minierë erdhi në një moment kur minatorët nisën punën në minierën e kromit pas afro tre muajsh protestë dhe një greve një mujore urie kundër kompanisë ACR me kërkesat për rritje të pagës, nisjes së investimeve në minierë për përmirësimin e kushteve e të sigurisë në punë, etj. Greva e urisë dhe ndërprerja e punës në minierë u bënë shkak që në minierë të shkonin edhe ekspertët e RISHM-it, të cilët pas kontrolleve deklaruan se jeta e minatorëve të ngujuar ishte në rrezik. Por pas shpëtimit të jetës në kohën e grevës së urisë, jeta e minatorëve u rrezikua nga shpërthimi më i fundit brenda minierës, ku humbi jetën njëri prej minatorëve. mit/NOA

KOMENTE