Tiranë, 19 tetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, edhe nesër vendi ynë do të nisë me kthjellime në pjesën më të madhe të territorit por gjatë orëve të mesditës do të ketë shtim të vranësirave në të gjithë vendin, më të dendura vranësirat do të jenë në zonat bregdetare. Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe intervale të shkurtra kthjellimesh në zonat e ulëta dhe bregdetare duke lënë me vranësira të dendura të gjithë zonën malore. Në mbrëmje dhe gjatë natës vranësirat do të gjenerojnë shira në të gjithë vendin. Ndërsa temperaturat e ajrit do të rriten ndjeshëm në vlerat e mëngjesit por mesdita nuk do të sjellë ndryshime të dukshme të temperaturave në vend. Era do të fryjë e lehtë me shpejtësi 30 km/h dhe drejtim kryesisht veriperëndimor, kjo do të bëjë që dallgëzimi në Adriatik dhe Jon do të jetë 2 ballë. Europa Nesër, Europa veriore edhe Europa Veriperëndimore do të karakterizohen nga kushte të paqëndrueshme atmosferike ku vranësirat dhe shirat me intensitet të lartë do të dominojnë këto rajone. Shira më të dendur do të ketë në Norvegji, Suedi dhe Britani, në pjesën veriore të Norvegjisë do të ketë edhe reshje të pakta dëbore. Po ashtu me vranësira dhe shirat do të mbetet Europa Qendrore dhe Vendet e Balltikut. Zhvillimi i vranësirave gjatë mesditës do të bëjë që zona e Alpeve dhe Italia të përfshihen nga shira intensive të cilat do të shoqërohen me stuhi ere dhe shkarkesa rrufesh. Shira në formë rrebeshi dhe temperatura të ulëta do të ketë në zonën e Alpeve. Ndërsa Europa jugperëndimore, Juglindore dhe Europa Lindore do të mbetet me kushte të qëndrueshme atmosferike pasi kthjellimet do të jenë dominuese në këto vende.
Ngjarje ekstreme në Europë: - Zona e Alpeve alarmon reshje shiu e dëbore, si dhe stuhi të forta ere - Vendet e Balltikut rrezikojnë shira të konsiderueshëm - Norvegjia rrezikon shira të konsiderueshëm dhe reshje dëbore a.y/NOA