Beograd, 19 tetor 2011, NOA- Deputetët e Partisë Radikale Serbe (SRS) kanë shkaktuar incident para Kuvendit të Serbisë, ku është mbajtur takimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë së Serbisë me SHBA-të. Takimi është mbajtur për të shënuar 130 vjetorin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, ndërsa në takim e pranishme ishte edhe ambasadorja amerikane në Beograd, Mary Warlick. Ambasadorja ka arritur në Kuvend, në sallë, me disa anëtarë të Grupit të miqësisë. Një pjesë e anëtarëve nuk ka mundur të futet brenda, sepse radikalët kanë bllokuar hyrjen. Ata madje kanë dashur të futen me parulla brenda, por i ka penguar sigurimi. Protesta ka zgjatur 20 minuta, ndërsa radikalët, raporton “Blic” dhe “Beta”, kishin parullat anti-amerikane: “NATO=krim”, “Vrasës, ndalni së vrari serbët në Kosovë”, “20 vjet të krimit amerikan mbi serbë”, “Fëmijët nuk do t’ua falim”, “Mary e Përgjakshme”... Ata kanë kënduar edhe himnin e Serbisë, këngët nacionaliste si “Vidovdan”, “Bëhuni gati”, dhe ato që i kushtohen të burgosurit në Tribunalit të Hagës, Vojislav Sheshel. Përfaqësuesit e radikalëve u kanë thënë gazetarëve se nuk i kanë lënë brenda në sallë, “sepse diçka fshehin ata”. “Kanë ardhur nga ambasada amerikane për t’u thënë se si duhet të sillen kur tanket amerikane nisen në barrikadat serbe në Kosovë. Këtë nuk do ta lejojmë”, ka thënë deputeti Boris Aleksiq. Incidenti ka zgjatur 20 minuta, pas së cilës radikalët janë shpërndarë, ndërsa takimi i Grupit të Miqësisë ka vazhduar. KD/NOA