English

Skandal me sigurimet, 13 të arrestuar në Kosovë

Prishtinë, 19 tetor 2011, NOA - Dyshimet se rreth 1 milion e 200 mijë euro para të kompanive të sigurimeve janë keqpërdorur, kanë çuar në burg ish-gjyqtarin dhe tani avokatin nga Klina, Kolë Pukën, së bashku me 12 persona të tjerë në mesin e të cilëve avokatë, doktorë dhe përfaqësues ligjorë të kompanive të sigurimeve. Ata dyshohet se kanë keqpërdorur paratë e kompensimit të dëmeve në aksidentet e trafikut, me ç’rast u kanë shkaktuar dëme kompanive të sigurimeve, e po ashtu edhe viktimave të aksidenteve të trafikut, të cilët nuk i kanë marrë dëmshpërblimet e merituara. Dyshimet për këta të arrestuar çojnë edhe në inskenime të aksidenteve, pasi që të njëjtit dyshohen se kanë zhvilluar procedura të kompensimit të dëmeve për aksidente, të cilat nuk kanë ndodhur fare. Operacioni i policisë, i cili është udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar të hënën e gjatë tre ditëve janë arrestuar të paktën 13 personave, si dhe janë kontrolluar 10 zyra e banesa. Sipas të dhënave të publikuara zyrtarisht nga policia e Kosovës, në mesin e të arrestuarve është ortopedi M. Dobroshi dhe doktori nga Peja M. Jakupi, F. Makolli, përfaqësues ligjor i një kompanie të sigurimeve, A. Robaj, përfaqësues ligjor i kompanisë së sigurimeve, si dhe të arrestuarit e tjerë K. Puka, avokat, L. Palushi, Z. Marleku, I. Salihu, A. Kryeziu, si dhe B. Nikqi. Sipas komunikatës së policisë operacioni në fjalë është drejtuar nga departamenti Special Anti Korrupsion, i cili me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake ka realizuar një operacion policor në qytetet Peje, Gjakovë, Klinë dhe Prishtinë. “Në këtë operacion me autorizim të Prokurorit Special, i cili është pjesë e Departamentit Special Antikorrupsion, janë arrestuar trembëdhjetë persona, nën dyshimin e bazuar për kryerje të veprave penale; Shpërdorim i pozitës zyrtare, Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, mashtrim, legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, lidhje e kontratës së dëmshme dhe krim të organizuar” thuhet në komunikatën e policisë. Gjatë këtij operacioni policor, si prova materiale janë konfiskuar shtatë kompjuterë, prej tyre dy “Lap Top”, një veturë, e cila dyshohet të jetë blerë nga pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe disa dokumentacione të ndryshme. a.q/NOA

KOMENTE