English

Topi, sfida e re e ndërkombëtarëve

Nuk është rastësi fakti që Bamir Topi është njeriu që ka kredencialet më të mira në Bruksel dhe Uashington, ndonëse në shumë raste mund dhe duhet të kishte bërë më shumë për të mbrojtur dhe promovuar vlerat dhe interesat euroatlantike Nga Alket Aliu Lëvizjet e reja në skenën politike shqiptare pritet të tronditin binomin e pashpallur Berisha-Rama, ku të paktën njëri prej tyre do të bjerë në vitin 2013. Teksa për liderin historik të Partisë Demokratike nuk do të kishte kuptim të vazhdojë të udhëheqë njerëzit e tij në opozitë, për kryetarin e Partisë Socialiste padyshim do të jetë shansi i fundit për të ardhur në pushtet. Një rrugë tejet e vështirë për të dy dhe sidomos për Sali Berishën, i konsumuar nga tetë vite në pushtet dhe me një parti të re që pritet të mbledhë votat e të pakënaqurve brenda të djathtës. Në të vërtetë, ky handikap mund të kthehet në një avantazh të madh për kryeministrin aktual, i cili do të mund të mbante partinë e tij në pushtet me një lëvizje “in extremis” pas zgjedhjeve, duke i ofruar Bamir Topit më shumë nga ç’i ofroi Ilir Metës. Për arsye të kuptueshme, Topi do të pranonte një koalicion paszgjedhor me Berishën, më shumë sesa me Ramën, në qoftë se nuk do të dëshironte ta shndërronte fitoren e tij të parë në fillimin e fundit politik. Dhe politikanët shqiptarë kanë treguar se harrojnë shpejt. Madje edhe armiqësitë e mëdha shndërrohen në dashuri të zjarrta, për hir të interesave të pushtetit. Nëse Sali Berisha do të aktivizonte mekanizmat nën tavolinë për të stimuluar madje forcën politike të Topit, ai do të mund të arrinte një gjysmë fitore: Të mbante në pushtet Partinë Demokratike pa qenë vetë kryeministër. Zgjidhja politike e një kryeministri të ardhshëm “as Berisha, as Rama” do të ishte padyshim më e pëlqyeshmja për faktorin ndërkombëtar, të lodhur e të bajatur nga grindjet dhe ngërçi politik në të cilën është e zhytur Shqipëria. Nuk ka më asnjë dyshim se Sali Berisha nuk është i preferuar as në Uashington dhe as në Bruksel, por ngjarjet e vitit 2011 kanë treguar se as Edi Rama nuk e gëzon më një status të tillë. Duke kërcënuar madje me “thirrjen në skenë” të Fatos Nanos. Sinjali i ndërkombëtarëve ka qenë i qartë: Për aq kohë sa Rama të jetë kandidati për kryeministër, Partia Socialiste nuk do të vijë në pushtet. Uashingtoni dhe Brukseli kërkojnë një njeri që të garantojë interesat strategjike të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Këtë nuk mund ta bëjë as një “dashnor i Lindjes” si Berisha dhe as një piktor i shquar si Rama. Dhe faktet në historinë e Shqipërisë kanë treguar se nuk mund të vish në pushtet nëse nuk ke përkrahje nga përtej oqeanit. Nuk është rastësi fakti që Bamir Topi është njeriu që ka kredencialet më të mira në Bruksel dhe Uashington, ndonëse në shumë raste mund dhe duhet të kishte bërë më shumë për të mbrojtur dhe promovuar vlerat dhe interesat euroatlantike. Nuk është rastësi fakti që numri dy pritet të jetë Gazmend Oketa, edhe ky i konsideruar i preferuari i amerikanëve në Tiranë. Gjithashtu nuk është rastësi fakti që terrenin për partinë e re po e përgatit Aleanca Kuq e Zi e drejtuar nga një prej njerëzve më të afërt të Topit, Kreshnik Spahiu, i cili realizoi disa ditë më parë në Shtetet e Bashkuara një manifestim në mbështetje të çështjes shqiptare, me njerëz dhe parulla. Pikërisht atë manifestim që kryetari socialist Rama nuk arriti dot ta organizonte në Nju Jork. Kështu Topi po i garanton ndërkombëtarët se nuk është vetëm euroatlantik i bindur, por edhe politikan me mbështetje dhe i dobishëm. Tre cilësi të mbledhura bashkë që as Berisha dhe as Rama nuk i garantojnë dot... * Dërguar nga autori, qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht linjën editoriale të NOA

KOMENTE