Tiranë, 19 tetor 2011, NOA - Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së minatorit Naim Shyti, i cili humbi dje jetën, gjatë shpërthimit në minierën e Bulqizës. Në mesazhin e tij, Kryeministri shprehet:
“Të dashur familjarë të të ndjerit Naim Shyti,
Vdekja tragjike e njeriut tuaj të dashur, birit, babait, prindit, ishte një lajm shumë hidhërues për mua dhe familjen time, por edhe për qeverinë e vendit.
Me këtë rast, duke ndarë me ju dhimbjen e kësaj humbje, ju shpreh ju familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit Naim Shyti ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.
Me respekt,
Sali Berisha”
Minatorët e Bulqizës do të përcjellin sot në banesën e fundit kolegun Naim Shtyi 39-vjeç, i cili humbi jetën si pasojë e shpërthimit të gazit. Ata kanë bërë të ditur se pas ceremonisë mortore do të mblidhen me një përfaqësi të tyre dhe të Sindikatës ku do të vendosin hapat e mëtejshme që do të ndërmarrin. Sipas minatorëve ata janë dërguar të punojnë në një zonë ku ishte paralajmëruar se kishte rrjedhje gazi, ndërsa ata nuk ishin të specializuar, në një kohë që RISHMN e mohon këtë deklaratë. a.q/NOA