English

Bulqiza, Naço akuza opozitës, ACR shfajësohet

Tiranë, 20 tetor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës Nasip Naço, në seancën e sotme akuzoi opozitën se po kërkon të përfitojë politikisht nga shpërthimi i dy ditëve më parë në Bulqizë. Naço tha se, më 3 qershor 2011 kishte urdhëruar kontrollin e marrëveshjes së shoqërisë koncesionare ACR, ndërkohë që më 4 korrik 2011 ishte urdhëruar ushtrimi i një kontrolli në minierë për zbatimin e marrëveshjes në fjalë. "Urdhëri ishte i qartë dhe i prerë dhe për zbatimin e tij u ngarkuan ekspertë të RISHM-t dhe të METE-s. Pas kësaj kanë ardhur konkluzionet e para dhe me urdhërin e datës 20 korrik 2011 kërkova pezullimin e pjesshëm të lejes minerare të dhënë më 2002-n kompanisë ACR",- deklaroi Naço. Ai vijoi informimin e deputetëve, duke bërë të ditur se më 27 korrik 2011 aplikoi penalitete ndaj kompanisë ACR, ndërsa më 10 gusht 2011 urdhëroi ndërprerjen e prodhimit në minierën e kromit dhe marrjen e masave për rehabilitimin e saj. Masat e marra vijojnë më tej me urdhërin e datës 5 gusht të METE-s, ku kërkohej shlyerja e detyrimeve nga ACR.

Reagon ACR: Kemi zbatuar urdhrat e METE

Nëpërmjet një deklarate zyrtare, drejtues të kompanisë ACR shprehën sot ngushëllimet për minatorin Naim Shyti, ndërsa iu uruan te plagosurve shërim sa më të shpejtë. Përsa i përket rrethanave të aksidentit tragjik, ACR sqaron se ka përmbushur të gjitha urdhëresat e dhëna nga METE dhe i është përmbajtur Akt-Inspektimeve të RISHM në veprimtarinë e saj për kthimin e minierës në kushte pune. “Deri tani ACR është në pritje të raportit përfundimtar të RISHM për rrethanat që shkaktuan aksidentin tragjik. ACR ka vënë në dispozicion të grupit hetimor dokumentacionin e nevojshëm dhe ka krijuar të gjitha lehtësitë për hetimin e kësaj çështje. RISHM në bashkëpunim me strukturat e ACR kanë marrë masa dhe po bëjnë eliminimin e avarisë. Edhe pse ACR është e bindur se ka vepruar brenda të gjitha urdhëresave dhe raporteve të mëparshme do të jetë në pritje të një raporti përfundimtar për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit”, thuhet në deklaratën e sotme të ACR-së. a.q/NOA

KOMENTE
  • Sazan Nozlli15:54 - 20 Tetor 2011
    shteti duhet te tregoje se eshte ekzistent,kompaninte duhet te sigurjne jeten e punonjesve te tyre...nese kompania ACR KA SHKELUR LIGJET NE FUQI,DUHET TI HIQET LEJA E SHFRYTEZIMIT TE MINERES.