English

Deklaratë për shtyp e Kryeministrit mbi zhvillimet e fundit në vend

Prishtinë, 20 Tetor 2011 NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një deklarate të posaçme sot pasdite, tha se vlerëson se operacioni për largimin e barrikadave dhe lirimin e rrugëve në veri është në kuadër të përkushtimeve institucionale të Republikës së Kosovës për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes, vendosjen e rendit dhe ligjit, për të krijuar siguri, paqe, integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në pjesën veriore të vendit.

"Ftojmë të gjithë qytetarët tanë në pjesën veriore të Kosovës për qetësi, për bashkëpunim të plotë, sepse këto angazhime janë në interes të vetë qytetarëve të asaj pjese të territorit të Kosovës, në interes të hapjes së perspektivës zhvillimore, jetës së qetë, të sigurtë, hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes së investimeve të gjithanshme institucionale në veri", - shprehet kryeministri Hashim Thaçi, citon korrespondenti i agjencisë NOA.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lartë përkushtimin e vazhdueshëm të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, që në kuadër të mandatit të tyre, po përmbushin angazhimet për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit –thekson kryeministri Thaçi.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Thaçi dënon dhunën e ushtruar mbi ushtarët e forcës paqëruajtëse të KFOR-it nga ana e pjesëtarëve të strukturave kriminale në veri, dhe shton se eskalimi i dhunës nuk është në interes të askujt. a.b/NOA

KOMENTE