Ka tash sa kohë që në rrugët, qytetet e fshatrat e Shqipërisë dëgjon për vjedhje, plagosje, vrasje, vetëvrasje, grabitje, dhune mbi të pambrojturit, shkatërrim me djegie apo me eksploziv të pronës private, hedhje në erë të automjeteve, gjobëvënie kriminale mbi biznesin, grabitje bankash apo zyra të këmbimit monetar e gjithçka tjetër që përkon me mungesën e rendit publik e sigurinë e jetës apo pronës së qytetarëve... Nga Gazmir Bizhga Deputet i Partisë Socialiste ...Kaq e përditshme dhe kaq e përsëritur është kjo panoramë trishtuese sa nuk duhet shumë mend që të kuptosh se tek ne rendi publik është shthurur apo më mirë të thuash se nuk ekziston fare dhe se lufta kundër krimit është thjesht iluzive dhe prodhon vetëm efekte statistikore. Ka shumë kohë që ne opozita kemi ngritur zërin duke vënë këmbanën e alarmit për atë se çfarë po ndodh sot me sigurinë e rendit publik në shoqërinë tonë, sesi po ndjehen gjithnjë e më të pambrojtur qytetarët tanë, sipërmarrësit, pronat e tyre përballë krimit ordiner e atij mafioz, që po ju gërryen ekonominë e tyre me shumë se kriza ekonomike që ka mbërthyer vendin apo taksat e qeverisë. Kaq e vërtetë është kjo sa para pak ditësh qytetarët tanë mbetën të tmerruar e të shokuar nga vrasja me eksploziv në mes të Vlorës e një gjyqtari, gjaku i të cilit skuqi kronikën e ditës. Po kjo nuk ngeli më kaq se pas dy ditësh nuk u skuqën nga vrasja rrugët, po vetë sallat e gjykatës, ku në Lezhë, krimi e goditi mu përpara trupit gjykues shoqërinë tonë, si për t’i treguar me arrogancë së drejtësia në këtë vend nuk ekziston dhe vetëgjyqësia është e vetmja zgjidhje e problemeve. Para pak ditësh u vra në derën e shtëpisë së tij, me thikë pas shpine një djalë i mrekullueshëm i qytetit të Durrësit, Junxhin Guza. Një volejbollist i talentuar i ekipit tonë kombëtar që e donte aq shumë jetën, sportin, të ardhmen dhe atdheun e tij. Vetëm për ta grabitur, për asgjë më shumë. Ndërkohë që gjaku i Junxhinit, që skuqi rrugën para shtëpisë, hidhëroi pamasë qytetarët e Durrësit dhe bëri dhe më të pasigurt jetën e familjeve e të fëmijëve tanë. Mbrëmë vonë u plagosën tre qytetarë në Shkodër, pardje humbi jetën një minator në Bulqizë e u plagosën tetë të tjerë, humbën jetën në rrugë duke vajtur për në shtëpi katër qytetarë në Gjepalaj e kështu me radhë shoqërohen ditët tona ku dëgjojmë të njëjtat ngjarje, të cilat përsëriten e ripërsëriten kudo nëpër Shqipëri. Ndryshimi i vetëm janë emrat e fatkeqëve të cilëve ju bie fati të jenë pre e krimit. Ndërsa Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, vetëm mbledh pasojat si fakte e shkruan ngjarje, harton raporte stinore me grafike me ngjyra. Vetëm kaq. Se për të parandaluar krimin nuk ka asnjë strategji. Në të gjithë këtë panoramë tragjike për jetën e qytetarëve tanë, Policia e Shtetit të servir të dhënat e zbulueshmërisë, gjë e cila të bën të hamendësosh se raportet zyrtare nuk e thonë gjithë të vërtetën. Ajo që nuk thotë Policia është se çfarë ka që nuk po zbulohet ende pas më shumë se dy vjetësh vrasja e deputetit të opozitës, njeriut të mirë Fatmir Xhindi. Cilët janë vrasësit dhe motivi i vërtetë i kësaj vrasjeje që ndodhi në prag të zgjedhjeve të shkuara parlamentare ? Kush e vrau Kryetarin e komunës Tërthorë Remzi Veseli në prag të zgjedhjeve të shkuara vendore? Cili është motivi i vërtetë? Kush i vrau në bulevard katër qytetaret e pafajshëm më 21 janar të këtij viti? Cilët janë ata që shkrehën armët e shtetit? Cili qe urdhëruesi? Cila ishte arsyeja që i shtyu ekzekutorët e vërtetë që të linin dhjetë fëmijë jetimë? Këto dhe shumë të tjera nuk i shpjegojnë dot raportet e Policisë së Shtetit. Që rendi publik tek ne ka marrë me teposhtë kjo nuk ka më asnjë dyshim, por ajo që i ka çuditur më shumë këto ditë qytetarët tanë është fushata e re, e pa menduar ndonjëherë, e gjobitjes pa fund e vend e pa vend e automjeteve jo nga rruga, por nga zyrat e komisariateve të policisë rrugore, me të vetmin arsyetim për të mbushur arkën e zbrazur të shtetit. Arkën e këtij shteti, që i ka lënë policët pa dieta, pa shpërblime për orët e punës jashtë orarit, pa uniforma e pa mjete pune. Me mijëra qytetarë e kanë parë veten, të abuzuar nga kjo skemë tipike piramidale e policisë rrugore. Skemë piramidale që gjobit masivisht qytetaret për automjetet e tyre, edhe për vende apo destinacione që nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë, por që ju duhet te paguajnë gjobë. Këtë po, këtë e bën mirë policia jonë. Pas kësaj qytetarëve ju mbetet vetëm të shpresojnë se po shpëtuan natën nga vjedhja apo gjobat e mafies, nuk do shpëtojnë ditën nga gjobat e policisë rrugore që është kthyer në një formë të ligjëruar të mafies shtetërore. E them këtë se gjithnjë më vijnë në mend thëniet e një drejtuesi të lartë të policisë rrugore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, që deklaroi se pas çdo polici rrugor është një deputet i qeverisë. Prandaj qytetarëve tanë ju duhet që t’i paguajnë këto gjoba të padrejta.