Athinë, 20 tetor, NOA - “Fëmijët grekë në Shqipëri nuk ndjekin shkolla greke në këtë vend, për shkak të mungesës së mësuesve të kualifikuar dhe librave”. Ky është shqetësimi që ngrejnë së fundmi mediat greke, duke cituar problematikën e arsimit të fëmijëve që i përkasin minoritetit grek në Shqipëri. Konkretisht, në një artikull të saj ditët e fundit, media greke “Greek Reporter” citon se është fakt që tashmë ”shumë studentë që janë kthyer nga Greqia në Shqipëri për shkak të krizës ekonomike në Greqi, regjistrohen po në shkollat shqiptare”.
”Megjithatë, arsimi në shkollat shqiptare nuk është aq i mjaftueshëm sa ai në shkollat greke, dhe gjuha, historia e kultura greke janë duke u shtrembëruar”, citon artikulli në fjalë. Duke shtuar më pas, rastin e shkollës greke në Himarë, e cila sipas kësaj gazete, është duke u dëmtuar plotësisht, pasi ajo nuk ka mësues të kualifikuar.
”Drejtori i shkollës deklaroi se mësuesit kanë një kohë të gjatë pa pagesë dhe i inkurajon prindërit për të ndihmuar që ky problem të zgjidhet nga qeveria greke”, citon media greke. Duke përfunduar se së fundi, prindërit janë të protestuar kundër arsimimit jocilësor.
Pak kohë më parë, mediat greke, në lidhje me problematikën e arsimit të fëmijëve që i përkasin minoritetit grek në Shqipëri, prekën fatin e financimit të shkollave të ndërtuara pikërisht për ta në zonat ku ata janë të pranishëm. Kjo pasi dihet që kriza greke, ka prekur edhe këtë sektor të rëndësishëm të arsimit në vendin fqinj.
n.e/NOA