Durrës, 20 tetor 2011, NOA / Irma Toptani Update – Shtatë të zhdukur, një i vdekur dhe dy të mbijetuar është bilanci i deritanishëm i tragjedisë së ndodhur mesnatën e shkuar në ujërat ndërkombëtare të Adriatikut. Pak orë pas tragjedisë së ndodhur mëse 20 milje larg brigjeve shqiptare të Durrësit po vijon prej mëngjesit edhe operacioni i kërkimit të të zhdukurve me helikopterë nga ajri, ndërsa lajmet mund të ndryshojnë nga momenti në moment në varësi të aksionit. Bilanci i tragjedisë u shënua në orën 1.00 pas mesnatës së të mërkurës, gjatë përplasjes së tragetit “Ankara” të linjës Durrës - Bari me anijen tregtare turke “Reina 1”, e cila kishte në bord 10 persona, të tërë turq. Përplasja rezultoi fatale për anijen turke, e cila u fundos tërësisht, ndërkohë që të mbijetuarit e saj deri më tani janë dy marinarë nga Stambolli 51-vjeçari Ahmed Seçik dhe 38-vjeçari Ahmed Bau, të cilët ndodhen në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Edhe pse nuk dihen ende shkaqet e tragjedisë, dy të mbijetuarit rrëfyen momentin tragjik të fundosjes së anijes së tyre duke thënë se ishte trageti “Ankara” ai që u përplas me anijen e vogël turke. Dy të mbijetuarit duke folur nga spitali i Durrësit thanë se gjithçka kishte ndodhur në vetëm dy minuta dhe anija ishte fundosur. Ndërkohë nga presioni i përplasjes në det të hapur shtatë pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit duket të jenë larguar nga dallgët, ndërsa një marinar turk u nxorr i vdekur nga deti. Sipas autoriteteve portale të Durrësit anija turke dhe trageti ecnin në drejtime të ndryshme, njëra përdrejt Veriut dhe tjetri drejt Perëndimit duke u kryqëzuar në mënyrë fatale me njëra – tjetrën. Por, është ende herët sipas autoriteteve nisja e hetimeve për shkakun e kësaj tragjedia të shënuar në detin Adriatik, mëse 20 milje larg brigjeve të Durrësit, por jo në ujërat tona territoriale. Autoritet shqiptare të Portit të Durrësit që janë angazhuar në operacionin e emergjencës bëjnë me dije se është e vështirë të gjenden trupat e të zhdukurve, ndërkohë që në ndihmë të kërkimit po patrullojnë në ajër mbi Adriatik dy helikopterë, ndërsa nga deti vijojnë operacionin e kërkimit katër motovedeta dhe anija ushtarake “Iliria”. Anija e vogël turke “Reina 1” ishte nisur nga Rusia përdrejt Malit të Zi kur në orën 1.00 të mesnatës u përplas me tragetin “Ankara” të linjës Durrës – Bari, e cila kishte në bord 196 pasagjerë. Përplasja rezultoi fatale vetëm për anijen e vogël turke, ndërsa trageti me pasagjerë nuk ka pësuar dëme. mit/NOA
Kryqëzim fatal në Adriatik, vijon kërkimi nga ajri i shtatë të zhdukurve
-
Ajten Rushiti11:35 - 20 Tetor 2011ngushellime deri te familjet e te ndjereve Zoti iu dhent durimin ...