Tiranë, 20 tetor 2011, NOA/Irma Toptani – Pas degjenerimit në akuza joetike të seancës më të fundit parlamentare, mes disa eksponentëve të opozitës dhe kryeministrit, ndryshe nga seancat e mëparshme, Kuvendi rikthen në rendin e ditës vetëm një nga projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, atë për Gjykatën Administrative duke lënë për seancat e ardhshme miratimin e projektligjeve të tjera që kërkojnë 3/5, siç janë projektligjet me ndryshime të disa Kodeve të Republikës së Shqipërisë. Kjo duket të jetë një taktikë e mazhorancës për t’i dhënë shans dialogut konstruktiv e bashkëpunimit në Kuvend me opozitën për disa nga reformat integruese për vendin, reforma të kërkuara përmes 12 rekomandimeve të KE-së. Por, opozita ka këmbëngulur që është gati për bashkëpunim dhe dialog me mazhorancën me kushtin që ligjet dhe reformat të jenë vërtet integruese dhe jo të arnuara sa për tu hedhur hi syve të BE-së. Projektligji “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative” siç quhet ligjërisht projektligji për Gjykatën Administrative është listuar i pesti në diskutimet sotme të seancës plenare të Kuvendit, e cila pritet të nisë pas orës 10.00. Seanca e sotme vjen një ditë pas raportit të KiE-s dhe miratimit të një rezolute për Shqipërinë, kur pas diskutimit mbi zgjedhjet vendore të 8 majit, klasës politike shqiptare iu kërkua nisja urgjente e dialogut konstruktiv për të arritur kryerjen e zgjedhjeve më të mira. Në rendin e ditës janë për t’u miratuar edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë i përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e projektit “Furnizimi me ujë i Bilishtit - kontratë me çelësa në dorë”; draft-ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave”; projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Pas diskutimit dhe miratimit të projektligjeve, deputeti socialist ka kërkuar një interperlancë me Ministrin e Informacionit dhe Teknologjisë së Informacionit Genc Pollo, ku lajtmotiv do të jetë ecuria e Regjistrimit të Popullsisë apo e Censusit të Popullsisë dhe Banesave, i cili sipas paralajmërimeve në krye të procesit pritet të përfundojë këtë fundjavë apo deri në fund të muajit tetor. Sipas rregullores së Kuvendit seanca e sotme do të përmbyllet me diskutime të deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës, kur pritet rishtas të ketë debate mes opozitës dhe mazhorancës. mit/NOA
Në Foto: Seancë plenare e Kuvendit