Tiranë, 20 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Kryetari i LSI, njëherësh deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar mbi informacionet e ditëve të fundit në media lidhur me takimin e tij ministrin e jashtëm italian, Franko Fratini. “Në lidhje me pretendimet e ndonjë media për gjoja angazhimin e personave të tretë gjatë vizitës sime zyrtare në Romë në 21 tetor të vitit 2009, sqaroj se prezenca e një drejtuesi të një gazete italiane në foton e paraqitur në media, e marrë gjatë konferencës së shtypit me homologun Fratini është krejtësisht e rastësishme, dhe nuk ka asnjë lidhje me asnjë aspekt institucional apo zyrtar të vizitës. Personi në fjalë njihet prej meje prej kohësh si drejtor i gazetës ”L’Avanti””, thotë Meta në deklaratën e tij zyrtare shpërndarë pak minuta më parë mediave shqiptare.
Itali, gazeta “La republika”: Edhe Meta në përgjime
Gazeta “La Republika” po boton këto ditë pjesë të përgjimeve telefonike të kryera në kuadrin e aktiviteteve të Valter Lavitola, një gazetar e sipërmarrës shumë pranë Kryeministrit Silvio Berlusconi. Lajmi është bërë i ditur në Shqipëri, fillimisht nga televizioni Top Channel. “Aktualisht, Lavitola është larguar nga Italia dhe mbi të rendon një mandat arresti. Në një prej telefonatave të vitit 2009-n, del edhe emri i Ilir Metës, në atë kohë zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme”, citon media italiane. Sipas gazetës “La republika”, Lavitola i kërkon me këmbëngulje sekretares së Frattinit, shefit të diplomacisë italiane, që me rastin e një vizite në Romë, të mund të takojë zyrtarin e lartë shqiptar. Më pas ai shprehet se edhe Frattini është dakort për një takim të shkurtër, pikërisht në kuadrin e vizitës së 21 tetorit 2009. Për t’i shpjeguar se për kë bëhet fjalë, Lavitola e cilëson me këto fjalë Ilir Meten: “Ky mban në këmbë qeverinë e Berishës. Ka katër deputetë dhe po merr nëntë të tjerë”. a.q/NOA