Durrës, 20 tetor 2011, NOA/ Update /Albana Qehajaj – Mbetet mister fati i marinarëve, të cilët janë zhdukur në ujrat ndërkombëtare mëngjesin e sotëm. Burimet zyrtare pranë Rojes Bregdetare konfirmojnë se për momentin nuk ka asnjë shenjë jete nga 8 marinarët turq, të cilët udhëtonin me anijen tregtare që u përplas me tragetin “Ankara” i linjës Durrës - Bari, ndërkohë që prej orësh po qarkullojnë informacioni kontradiktore se sa është numri i saktë i personave të zhdukur apo në rastin më të keq, të vdekur. Operacioni i kërkim – shpëtimit është ndërprerë pak minuta më parë. Korrespondenti i agjencisë NOA në Durrës njofton se anijet dhe helikopterët janë larguar nga vendi i ngjarjes, pasi nuk kanë gjetur asnjë shenjë të marinarëve.
Olldashi raporton në Kuvend për ngjarjen
Ministri i punëve publike dhe transportit, Sokol Olldashi ka folur gjatë seancës plenare në Kuvend për ngjarjen në ujrat ndërmbëtare ku një traget dhe një anije tregtare janë përplasur. Olldashi bëri të ditur se një anije pasagjerësh është nisur mbrëmjen e djeshme nga Porti i Durrësit drejt Italisë me pasagjerë në bord. Dhe rreth orës 1.00 të ditës së sotme trageti me pasagjerë nisur nga Durrësi është përplasur me një anije tregtare, duke shkaktuar mbytjen e kësaj të fundit. Ai informoi se trageti i linjës Durrës - Bari është përplasur me anijen tregtare turke “Reina1” e cila kishte një ekuipazh prej 10 personash është mbytur menjëherë pas përplasjes. Sipas informacioneve më të fundit 2 marinarë të anijes turke kanë arritur të shpëtonin. Dy marinarët e mbijetuar Ahmet Seiçid 51 vjeç dhe Ahmed Bau 38 vjeç si dhe kufoma e një marinari tjetër tashmë janë në port, ndërsa mësohet se janë identifikuar nga Guardi di Finanzia edhe dy kufoma të tjera por si pasojë e dallgëve të mëdha ata nuk janë nxjerrë ende nga deti. Olldashi garantoi se pala shqiptare, duke qenë se aksidenti ka ndodhur në ujëra ndërkombëtare, do të japë ndihmën e duhur për të zbardhur në këtë ngjarje. Sipas tij të dy mjetet lundruese po ecnin në vijën e tyre të drejtë dhe ende nuk dihet pse u shkaktua përplasja. Ai tha se paraprakisht mund të jetë një gabim njerëzor, por gjithsesi kjo do të qartësohet pas zbardhjes së ngjarjes. a.q/NOA
Në foto: Trageti i linjës Durrës - Bari që raportohet se ka përplasur anijen turke