English

Mungojnë avokatët, shtyhet për nesër pretenca për të pandehurit

Tiranë, 20 tetor 2011, NOA – Shtyhet për të dytën herë radhazi leximi i pretencës së akuzës për 29 të pandehurit e superprocesit Gërdeci. Shkak për shtyrjen është bërë rishtas mungesa e pjesës më të madhe të avokatëve mbrojtës. Katër prokurorët e çështjes, Petrit Bisha, Altin Dumani, Genci Qano dhe Ajeta Zaimi pasi nuk kanë mundur dot as këtë të enjte të konkludojnë pretencën për të pandehurit deklaruan se mungesa është e qëllimshme dhe flet për një taktikë që po përdor mbrojtja për ta shtyrë pafundësisht deri në mbyllje për shkak të tejzgjatjes, superprocesin mbi tragjedinë e ndodhur në Gërdec, mëse tre vite më parë. Seanca e leximit dhe dhënies së konkluzioneve të akuzës mbi të pandehurit është shtyrë nga Trupi Gjykues i Gjykatës së Tiranës për ditën e premte, pra në 21 tetor. Edhe ditën e martë seanca e Gërdecit u shty për këtë të enjte për mungesë të avokatëve mbrojtës të disa prej të pandehurve kryesorë të superprocesit. Mes 29 të pandehurve më kryesorët janë Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Sokol Ngjeçi dhe Dritan Minxolli. Ndërkohë sipas ligjit pas leximit të plotë të pretencës të 29 të pandehurit kanë të drejtën e fjalës. Deri më tani janë lexuar pjesa më e madhe e pretencës voluminoze prej 500 faqesh. Shpërthimi në fabrikën e çmontimit të armëve në Gërdec u kushtoi jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë, por si për ironi të fatit katër shkaktarët kryesorë të tragjedisë janë jashtë qelive të burgut për tejkalim të afateve të paraburgimit. Supergjyqi Gërdeci për më shumë se dy vite nga nisja e procesit ka shënuar rreth 150 seanca gjyqësore. mit/NOA

KOMENTE