Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila: Synimet tona - deri në vitin 2014 të arrihet një ngritje në zhvillimin ekonomik prej 8 për qind, si dhe një ulje e papunësisë në masën 10 për qind Prishtinë, 20 Tetor 2011 NOA - Në organizim të Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës është mbajtur sot Forumi me temën: “Objektivat dhe Prioritetet e Planit për Vizionin Ekonomik të Kosovës 2011- 2014 dhe arritjet e deritashme”. Në forum merrnin pjesë ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe përfaqësues të bizneseve, raporton korrespondenti i agjencisë NOA. Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila në hapje të forumit tha se synimi i këtij plani është përshpejtimi i zhvillimeve në Kosovë, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik. Sipas zëvendëskryeministres Kusari Lila, zhvillimi i Planit do të bazohet në katër shtylla kryesore, zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe mirëqenien sociale. Në këtë aspekt, synimet themelore të Republikës së Kosovës janë që prej vitit 2012 deri në periudhën afatmesme, gjegjësisht deri në vitin 2014, të arrihet një ngritje në zhvillimin ekonomik shtatë deri tetë për qind, si dhe një ulje e papunësisë në masën nga 8 deri 10 për qind, nga numri i të papunëve të regjistruar. “Jemi të vetëdijshëm dhe mbesin të vetëdijshëm se sektori joformal në Kosovë është një sektor me përqindje mjaft të dukshme në ekonominë kosovare, prandaj një ulje edhe e papunësisë arsyetohet edhe me regjistrimin më efektiv që do të bëhet dhe me rritjen e kalimit nga ekonomia joformale në formale, bashkë me uljen reale të papunësisë që do të ndodh si rrjedhojë e gjenerimit të vendeve të reja të punës” tha zëvendëskryeministrja Kusari-Lila. Në forum ministrat përgjegjës prezantuan çfarë është arritur deri më tani në fushat përkatëse, si dhe objektivat e prioritetet që janë identifikuar në Planin për Vizionin Ekonomik për Kosovën, në periudhën 2011-2014. a.b/NOA