Mitrovicë, 20 Tetor 2011 NOA - Kanë nisur përgatitjet lidhur me fillimin e punëve për realizimin e projektit “Hapësirat multikulturore në Mitrovicë”. Kryetari i Komunës, Avni Kastrati dhe drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Mehdi Bala, kanë biseduar me përfaqësuesen e Këshillit të Evropës (KE), Merita Gara lidhur me punimet. Projekti përfshin rregullimin e qendrës së qytetit, përkatësisht shëtitores kryesore të qytetit, duke filluar nga “Sheshi i Jasharajve” deri në rrugën kryesore të qytetit “Mbretëresha Teutë”, afër urës kryesore mbi lumen Ibër, raporton korrespondenti i agjencisë NOA. Në kuadër të këtij projekti parashihet edhe meremetimi i palestrës ekzistuese sportive “Minatori’, ndërtimi i qendrës shumëfunksionale sportive-rekreative dhe ndërtimi i qendrës tregtare, të gjitha afër Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”. Projekti financohet nga KE. a.b/NOA