English

Reagim presidencial për zhbllokimin e rrugëve në veri të vendit

Prishtinë, 20 Tetor 2011 NOA – Presidentja e Republikës së Kosovës mbështet aksionin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, të KFOR-it dhe EULEX-it, për zhbllokimin e rrugëve, për heqjen e barrikadave dhe për krijimin e mundësive për qarkullim dhe lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave në gjithë territorin e vendit. “Veprimet e strukturave ekstremiste për bllokimin e rrugëve janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet e vendit dhe me standardet ndërkombëtare për lirinë e lëvizjes, të qarkullimit dhe komunikimit të lirshëm ndërmjet njerëzve”, - citon korrespondenti i agjencisë NOA, burime zyrtare nga Presidenca. Jahjaga thotë se aksionet e KFOR-it dhe EULEX-it janë në kuadër të mandatit të tyre për të siguruar paqe dhe stabilitet dhe për të aplikuar sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si veprim konkret për të mos lejuar anarkinë në tri komunat në veri të territorit të Kosovës dhe për të mos lejuar që strukturat ilegale të mbështetura nga grupet kriminale ta bëjnë ligjin në këto komuna. Kurse vlerëson se kthimi në gjendjen normale në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, mundëson që njerëzit lirshëm dhe me mbështetjen e institucioneve t'i kryejnë të gjitha punët dhe aktivitetet e veta, që është në interesin e vet qytetarëve dhe që i heq ata nga të mbajturit peng prej strukturave ilegale, që mundohen t'i shfrytëzojnë problemet reale të qytetarëve për qëllime të veta. Veprimi institucional, legal dhe legjitim është e vetmja zgjidhje që realizon interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe me këtë pamundësohen dhe parandalohen grupet ekstremiste që dëshirojnë ta tensionojnë gjendjen, thotë Presidentja e Republikës së Kosovës. a.b/NOA

KOMENTE