English

Rreth vicioz

Në raport-progresin e BE-së lidhur me vendet e Ballkanit, pjesa që i kushtohet Shqipërisë ishte jo vetëm më e rrepta në kritika, por edhe e shtrirë me gjykime kritike në fusha nga më të ndryshmet. Nga mangësitë në zgjedhje, te bojkoti i Kuvendit, te korrupsioni në administratë, te statusi i popullsive rome

Nga Artan Fuga

Nuk është aspak as në kompetencat e mia, as në vullnetin tim, aq më pak në etikën time, që të jap një gjykim individual, i cili gjithmonë mbetet modest, për një raport kaq institucional, të një instance kaq të nderuar dhe të habilituar për të matur objektivisht progresin e një vendi apo të një gadishulli të tërë, të gjithë kontinentit, apo të gjithë botës. Aq më pak është e mundur të thuhet individualisht nëse termi “përparim i kufizuar” ka këtë apo atë kuptim teknik. E para, sepse hapat e progresit janë gjithmonë të kufizuara, e kemi vështirë të dimë se cilat ishin objektivat që parashikoheshin dhe sa larg jemi prej tyre, aq më shumë, vështirë se mund të bëhen krahasime me ato që kanë arritur vendet e tjera. Duke e anashkaluar këtë aspekt, dëshira ime ishte të ndalesha te një lloj leximi që i bëra tekstit të dokumentit në fjalë. Kritikat e tij i ndaj në tri nivele.

Së pari është niveli aktorial. Çfarë do të quhet niveli aktorial? Ai ka të bëjë me sjelljen e aktorëve politikë, me strategjitë e tyre, me vullnetin e tyre për të ndërmarrë reforma, me besimin ose mosbesimin reciprok që partitë politike, politikanët, deputetët, grupet e deputetëve, ushqejnë ndaj njëri-tjetrit etj.

Me të drejtë raporti këtu thekson se dy partitë kryesore në Shqipëri nuk arritën të bashkëpunojnë si duhet për reformat, se zgjedhjet ndonëse respektuan disa standarde, patën edhe probleme, se nuk u arrit dialogu në Kuvend etj. Problemi është se këtu krijohet një rreth vicioz, nga i cili vështirë se logjikisht del dot. Raporti bën përgjegjës politikanët në pushtet, por edhe opozitën nuk e kursen, por edhe gjyqësorin, edhe Kuvendin, edhe aktorët institucionalë që merren me procesin zgjedhor etj.

Qytetari futet në një pikëpyetje sa reale aq edhe që kërkon përgjigje: Është partia në pushtet dhe përfaqësuesit e saj që nuk krijojnë kushte për dialogun me opozitën, apo është opozita që për qëllime politike dhe e bindur se forca politike në pushtet nuk pranon dialog, e braktis Kuvendin dhe nuk bëhet bashkëpunuese.

Futemi në botën e frikës ekzistenciale që e ka shpjeguar aq mirë në politikë Maurice Merlo-Ponty: “Unë kam frikë nga ti sepse ti më bën me frikë me frikën që ke nga frika ime!” Si të dalësh nga kjo gjendje që është pika e parë e çdo hapi në politikë? “Ti ke mosbesim ndaj meje, sepse me mosbesimin tënd ti më bën që të mos të të besoj, dhe prandaj ti kur sheh mosbesimin tim ndaj teje, nis edhe nuk më beson”. Nga këto situata, logjika e ka tashmë treguar se nuk dilet dot. Fakti që kemi vite që nuk dalim dot prej këtij qerthulli vicioz, është prova më e mirë.

Niveli i dytë është niveli institucional. Raporti bën të qartë që kanë ngelur pa u aprovuar shumë ligje që kërkojnë tre të pestat e votave në Kuvend, po ashtu statusi i nëpunësit civil është ende larg atyre standardeve që duhen, ligja elektorale kishte mangësi dhe boshllëqe, gjyqësori ende vuan nga një kuadër normativ që lë për të dëshiruar etj. Nuk po zgjatemi më me numërime. Analiza drejtohet ndaj institucioneve, pra ndaj kuadrit normativ që rregullon sjelljen e aktorëve politikë, dhe atje gjen të meta serioze.

Niveli i tretë, veç atij aktorial, veç atij institucional, ka të bëjë me praktikat e agjentëve politikë, ekonomikë, pra me linjën e sjelljes në fushat ekonomike, politike, juridike të partive politike, të deputetëve, të nëpunësit në raport me qytetarët, dhe kështu me radhë.

Ja ku vijmë tek ai që ta quajmë qerthull vicioz. Vicioz sepse, si çdo rrethi është vështirë t’i gjesh fillimin nga t’ia nisësh dhe ku ta bitisësh. Rrethi nuk ka as fillim dhe as mbarim.

Aktorët politikë duhet të rivendosin vullnetin e mirë të bashkëpunimit dhe besimin te njëri- tjetri? Sigurisht. E kush nuk do ta dëshironte. Por, problemi është tjetër. Si do të munden aktorët e ndryshëm politikë kundërshtarë të rivendosin besimin e tyre te njëri-tjetri, nëse nuk ka institucione që ta certifikojnë këtë besim, nëse institucionet janë të tilla që nuk lejojnë besimin politik reciprok të vendoset mes palëve?

Atëherë le ta nisim me institucionet. Të ndërtohen institucione, Kuvendi të punojë normalisht, Prokuroria normalisht, gjykatat normalisht, administrata normalisht, ligjet të bëhen normalisht. Çfarë ka këtu për ta tjerrë më gjatë? – do të thoshte optimisti.

Dhe vërtet mbase ashtu është. Por dale pak... Si mundet që këto institucione të plotësohen dhe të funksionojnë normalisht, kur aktorët politikë që duhet të bashkëpunojnë për këtë qëllim nuk e kanë vullnetin për të bashkëpunuar dhe reformuar këto institucione? Janë institucionet që duhet t’i detyrojnë aktorët politikë që të bashkëpunojnë në institucione. Por, nëse këto institucione kanë dobësi, si munden ato që t’i bëjnë aktorët politikë të bashkëpunojnë për t’i rregulluar këto institucione?

Është ligjë elektorale e mangët që nuk lejon legjitimimin nga ana e kundërshtarit të rezultatit të zgjedhjeve, apo është sjellja e deputetëve në Kuvend që aprovoi një ligjë elektorale, e cila nuk konsiderohet e plotë nga të gjitha palët?

Palët sillen politikisht me mosbesim sepse institucionet nuk janë të besueshme, apo ngaqë institucionet janë të pabesueshme, palët sillen me mosbesim ndaj njëra-tjetrës? Lexuesi i vëmendshëm e kupton se po hyjmë në qerthullin e folklorit: E ka bërë pula vezën, apo veza pulën? “Vijmë në Kuvend po qe se rregullorja e Kuvendit përshtatet, apo duhet të përshtatet një herë rregullorja e Kuvendit që të vijmë në Kuvend?”

Pa e lodhur lexuesin e nderuar, mjaftohemi për të thënë se leximi i tekstit të raportit mbi “përparimin e kufizuar” të Shqipërisë na tregon (nga mënyra sesi janë parashtruar kritikat në të tria nivelet) se ndodhemi përpara një tërësie aporish, të kundërtash që përjashtojnë njëra- tjetrën, përpara një qerthulli të mbyllur, ku fillimi dhe fundi i procesit nuk po dallohen dot nga njëri-tjetri: pula vezën, apo veza pulën?

Për t’i kuptuar mirë kritikat që na bëhen, ndofta ka vend t’ia nisim nga përgjigja ndaj kësaj pyetjeje. Përndryshe, jo vetëm do të vijmë rreth e rrotull pa ditur nga të fillohet, por do të rikthehemi kurdoherë në pikat e nisjes pa avancuar sikurse do të dëshironim. /mapo/

KOMENTE