English

Apeli: Pse privilegjet e imunitetit janë pengesë

Tiranë, 21 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Çështja e heqjes së imunitetit është rikthyer sërish në vëmendjen e politikës shqiptare, këtë herë për heqjen e tij ka apeluar kryediplomati amerikan në vendin tonë Alexander Arvizu dhe Kryeministri Berisha, vetëm dy ditë pas konferencës për reformimin e sistemit të imuniteteve të zyrtarëve të lartë. Deklarata e ambasadorit amerikan u lëshua në ceremoninë festive të organizuar për suksesin e Programit të Pragut të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Shqipëri, ku tha se privilegjet e imunitetit nuk duhet të ekzistojnë për asnjë zyrtar. “Askush nuk duhet të ketë imunitet që korrupsioni të mbetet i pandëshkuar. SHBA ndihmon në luftën kundër korrupsionit, por nuk duhen lejuar privilegjet e imunitetit. Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të vazhdojë dhe imuniteti është pengesë”, u shpreh ambasadori amerikan. Ndërkaq i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri i vendit Sali Berisha i cili në fjalën e tij tha se është i hapur për çdo variant që lidhet me heqjen e imunitetit. Kryeministri ftoi sërish opozitën që të lenë mënjanë kundërshtitë dhe të dy palët të punojnë në pikat ku bashkohen. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi nismën për heqjen e imunitetit të zyrtarëve, për të cilën theksoi se mazhoranca në parlament është e gatshme të votojë secilin opsion të ofruar në këtë aspekt, të mbështetura edhe nga ekspertët ndërkombëtarë. “Le të heqim dorë nga kushtet për hequr imunitetin tonë, por le të heqim imunitetin sa më shpejt, si dëshmi të përgjegjësisë sonë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atij parimi të madh që është barazia para ligjit. Ndaj, në këtë fushë, besoj se nëse i lëmë kondicionalitetet, ne mund të japim frytet e para të një bashkëpunimi me një interes shumë të madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, pasi lufta kundër korrupsionit është kushti themelor për zbatimin e reformave dhe suksesin e tyre”, tha Kryeministri Berisha.

Ndërkaq dy ditë më parë Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama në fjalën e mbajtur në konferencën e për reformimin e sistemit të imuniteteve të zyrtarëve të lartë, tha se institucionet ndërkombëtare në vijimësi kanë shprehur shqetësim për këtë fakt. Sipas saj, imuniteti që gëzojnë kjo kategori e caktuar e zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarët, është i panevojshëm, është pengues për hetimin e rasteve të korrupsionit ndaj tyre, dhe se është e domosdoshme të bëhen ndryshime kushtetuese për heqjen dhe kufizimin e tij. Ajo theksoi se duhet të tejkalohen diskutimet nëse është i nevojshëm kufizimi i imuniteteve, dhe të kalohet në diskutimin mbi mënyrat konkrete se si duhen realizuar këto ndryshime. “Vlerësoj të drejtë propozimin për të bërë ndryshime në Kushtetutë për shfuqizimin imunitetit të Anëtarëve të Këshillit të Ministrave, të Avokatit të Popullit, të Anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjithashtu, vlerësoj të drejtë dhe të bazuar propozimin për shfuqizimin e mbrojtjes së deputetëve nga ndjekja penale, duke pranuar idenë e një imuniteti të kufizuar, i cili jep garanci në lidhje me mosndjekjen penalisht për fjalën që thonë dhe vendimet që marrin për shkak të detyrës si deputetë, por gjithashtu jep garanci në raport me arrestin dhe kontrollin personal të tyre”, u shpreh Kryeprokurorja. a.y/NOA

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi23:14 - 21 Tetor 2011
    Ne TV-i ora njus midis diskutanteve me eksperience praktike dhe te figura te njohura ne gjykate o politike,doli qe heqia e imunitetit eshte vetem njera hallke e nje zinxhiri te tere qe pengon njohjen e se vertetes. Ndaj nuk eshte ndonje sukses i math heqia e imunitetit,per ta zbardhur te verteten.Ndoth ajo qe thote populli:Sa me thelle me rude. Duket qe politika ka kohe qe nderton mure mbrojtese kunder demokracise se vertete.Tani shqiptaret po kuptojne kete lloj valleje nen rogos.