English

Basha: 6 studentët më të mirë të Politeknikut, vend pune në bashki

Tiranë, 21 tetor 2011, NOA- Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të inxhinierëve të Universitetit Politeknik të Tiranës. Gjatë fjalës së tij me këtë rast Basha u premtoi studentëve mundësi për punësimin e inxhinierët e rinj. Në këtë ceremoni ku u diplomuan 247 studentë të cilët mbaruan ciklin e masterit shkencor në Universitetin Politeknik të Tiranës, ai tha se Bashkia do të bëjë të mundur që studentët të kenë mundësi të zhvillohen dhe të ushtrojnë profesionin e tyre. Kryetari i Bashkisë i ftoi të diplomuarit, dhe me këtë rast, të gjithë studentët që të japin mendimin dhe idetë e tyre për planet e zhvillimit të Tiranës. “Gjashtë studentët më të mirë të gjashtë fakulteteve që sot marrin diplomë “master”, i pret një vend pune në Bashkinë e Tiranës. Brenda 15 dhjetorit, 20 studentët më të mirë të çdo fakulteti i pret një vend stazhi me një pagesë minimale prej 100 mijë lekësh (të vjetra), por me një gjatësi 3-6 muaj në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë dhe për të gjithë të sapodiplomuarit e tjerë që ndodhen sot në këtë sallë, ju jap fjalën se brenda 1 marsit të vitit të ardhshëm, do ngremë programin e stazheve, do të jetë i instaluar plotësisht dhe gjithsecili prej jush që zgjedh, dëshiron të kryejë stazh pune 3-6 muaj në institucionet publike apo private”, u shpreh Basha. Më tej ai uroi 1/3 e të sapodiplomuarve që i përkasin Fakultetit të Teknologji-Informacionit, duke thënë se së bashku i pret një punë e madhe për të realizuar një ndër premtimet kryesore, Parkun Teknologjik, ku Bashkia e Tiranës do të bëjë të mundur që të vihen në jetë dijet që janë marrë dhe për t’i bërë ato sa më të përputhshme me tregun e punës, ndërtim software, programesh, hardware, eksplorim të teknologjive më modern, bashkëpunim me kolegët kudo në Europë. Ai përmendi objektivat e përbashkëta me Universitetin Politeknik të Tiranës, duke thënë se do të realizohen objektiva si, përfundimi në kohë i Planit Urbanistik të Tiranës, hartimin e studimeve të detajuara për zona të veçanta të qytetit, apo aspekte të veçanta të qytetit, siç është infrastruktura e re, që nga Unaza e Madhe dhe përfundimi i saj, tek Trami, Stacioni i ri i Trenit, duke i ftuar të sapodiplomuarit që të japin ndihmën e tyre. a.y/NOA

KOMENTE