Nga Mero Baze
Presidenti Bamir Topi nuk do ta ketë të vështirë të jetë tani e tutje protagonist i debatit politik në vend. Kryeministri Berisha po bën ç’është e mundur ta mbajë atë prezent para shqiptarëve çdo ditë, qyshkurse ai deklaroi se ka ambicie politike dhe do të rikthehet në politikë pas vitit 2012. Sulmin e parë nuk e mendoi gjatë. Sapo Presidenti tha që Jozefina e flet shqipen si injorante, ai i turri gjithë ithtarët e dialektit shkodran për të akuzuar se ka fyer Shkodrën. Presidenti e mori në fillim seriozisht dhe desh të sqarojë që s’ka gjë me dialektin shkodran se zonja flet një zhargon rrugësh prej injoranteje, por fushata nuk u ndal. Qëllimi është të mbahet larg veriut ambicia politike e Bamir Topit, atje ku Berisha mendon se ka kështjellën e vet. Nuk ka rëndësi se bën qesharake Jozefinën dhe vë në sedër një qytet si Shkodra, të cilit i ka rënë për pjesë të mbrojë edhe dialektin e vet, edhe Jozefinën. Aq entuziast ishte në idenë se Bamir Topin po e ndëshkonte për faktin se nuk pëlqente zhargonin e Jozefinës, sa në debate publike, zhargoni i Jozefinës u shpall një vlerë më e madhe se gjuha e njësuar në vend. Bile u shkua dhe më tej sa vlerat lokale apo deformimet e tyre të shpallen si mbivlera kombëtare. Pasi u bë objekt barsoletash në Shkodër me aksionin e tij për të shpallur Jozefinishten gjuhë kombëtare, dje kaloi tek plehrat. Bamir Topi ka kthyer për rishqyrtim ligjin e plehrave dhe Sali Berisha gjeti rastin ta sulmonte dje duke e quajtur Aleanca e Plehrave. Duke mbajtur një fjalim të gjatë kundër gjithë bashkiakëve socialistë, që sipas tij po ndotin mjedisin, ai sulmoi Topin si kryetar të tyre.
Nesër, pasnesër dhe në ditët në vazhdim do të ketë ngjarje të tjera në këtë vend. Mos u çudisni që çdo gjë e keqe tani e tutje ka lidhje me Bamir Topin. Nëse bie ndonjë kometë, nëse del Hëna blu dhe ka përmbytje në Shkodër, nëse ka aksidente dhe plehra në rrugë, nëse ka korrupsion apo krim të zhvilluar, nëse ka rritje abortesh apo vetëvrasjesh, fajtor do të jetë Bamir Topi. Sali Berisha e ka të qartë se deri në vitin 2013 ai ka përpara vetëm një armik të strukturuar, atë që ka pasur nënkryetar të partisë së tij dhe që përfaqëson brenda asaj partie anti-berishizmin. Pikërisht këtu e ka problemin më të madh Sali Berisha. Për të mundur Bamir Topin, nuk ka nevojë për kaq shumë luftë. Për ta mundur atë dhe për ta shmangur nga mbështetja brenda PD-së mjafton që Berisha të shmangë pakënaqësitë dhe zhgënjimet që ndodhin brenda asaj partie nga drejtimi i hekurt i partisë prej Familjes Berisha. Mjafton që Berisha të bëjë në kohën e duhur kuvendet e partisë, të bëjë gara të hapura, të mos fusë në parti pa garë një tufë dashnoresh të shokëve të çunit për tu dukur parti trendy dhe të respektojë kontributet e individëve në atë parti. Ky është një ekuacion i vështirë. Nëse Berisha bën këtë, ai demokratizon partinë, dhe nëse e bën këtë, ai e humbet atë parti. Nëse ai nuk e bën këtë, që siç shihet s’ka ndërmend ta bëjë, ai automatikisht ka prodhuar një frymë jo të vogël kundër tij që shkon heshturazi tek Bamir Topi. Ka plot zëra, bile autoritarë brenda PD-së siç është rasti i Mustafajt apo dikujt tjetër që bëjnë thirrje formale që Bamir Topi të mos krijojë parti të re, por të demokratizojë PD. Kjo është thjesht një përpjekje për t’i kujtuar Berishës atë që nuk ka fuqi ta bëjë dhe jo t’i kujtojnë Bamirit atë që duhet të bëjë. Partia Demokratike nuk është seli dhe as shpellë e Dragobisë. Ajo ishte një ideal dhe ideali nëse do ta respektosh, gjen strehë kudo. Sali Berisha di pikërisht faktin se rreziku i vjen nga ata që nuk ka fuqi t’i mbajë brenda gardhit. Në çdo qark, në çdo rreth, në çdo qytet dhe fshat, ai ka një njeri që e ka të komanduar të Familjes dhe një rival të tij të hidhëruar nga ky pushtet i pafundmë dhe pa kuptim. Ai e di dhe e ndjen se këta njerëz do ta tradhtojnë në ditën që ai do të përpiqet të rikonfirmojë njerëzit e Familjes në atë parti. Për këtë arsye ia ka nisur punës, që çdo ditë të merret me Bamir Topin, me çfarëdo teme dhe subjekti politik që ta nisë bisedën. Atij i duhet tu thotë mbështetësve të vet se ai nuk është më i tyre, është i armikut, është pleh, horr, faqezi, dhe bile nuk pëlqen as të folmen e Jozefinës. Ai kërkon doemos të përdorë kundër tij krahinarizmin, militantizmin, antikomunizmin, komunizmin, të majtën, të djathtën, të persekutuari, persekutorët, pronarët, grabitësit e pronave, gjithçka që ka në dispozicion të tij si mbartës i gjithë pushteteve në këtë vend. Dhe të gjithë këtë e bën vetëm për një shkak, se nuk ka më në dorë të vendosë për fatin e një njeriu, të Bamir Topit. Dhe akoma më keq, ky i fundit mund të vendosë për të. NOA