Korçë, 21 tetor 2011, NOA- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe shoqata “Çamëria” zhvilluan një tubim masiv në qytetin e Korçës, duke mbyllur turin “Ji krenar që je shqiptar”. Gjatë takimit të zhvilluar në teatrin “Andon Zako Çajupi”, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi deklaroi se ikja e paparalajmëruar e konsullit nuk kishte hequr mentalitetin grek që kishte sjellë këtë konsull në Shqipëri. “Duke ardhur për në Korçë, mësova se konsulli ishte larguar, këtë herë përfundimisht. Duke qenë se ka deklaruar largimin edhe herë të tjera, pas presionit të shoqërisë shqiptare dhe tuajën si korçarë patriotë, dua të siguroj se ai nuk do të kthehet sërish dhe se ne do të bëhemi garantë për këtë. Por, mentaliteti që ka sjellë konsullin grek këtu, mentaliteti i megaloidhesë ende nuk ka ikur. Amendamentet tona e kanë frenuar atë, ia kanë hequr mundësinë që të abuzohej me censusin. Tashmë asnjë që është shqiptar nuk mund të deklarohet ndryshe” u shpreh Idrizi. Pas tubimit, në një marshim pa fjalime, pjesëmarrësit në aktivitet zhvilluan një protestë përpara konsullatës greke. Me parullat “jam krenar që jam shqiptar”, “shqiptari mysliman qoftë, ortodhosoks qoftë, katolik qoftë, është gjithmonë shqiptar”, etj, ku kërkuan që të mos përsëriteshin më veprimet antishqiptare nga kjo konsullatë dhe konsulli të mos tentojë të rikthehet. Ikonomus tërhoqi vëmendjen e politikës dhe të opinioni publik shqiptar pas deklaratave të tij nacionaliste, pas të cilave, Athina zyrtare e tërhoqi nga detyra për 2 javë dhe e riktheu sërish në postin e konsullit. a.y/NOA
Në foto: Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi në Korçë